Publikimi i videos me armë të nënës së 15-vjeçarit/ Arbër Hitaj: Ja përse nuk kanë reaguar deputetët

01/06/2020 17:11

I ftuar në studion e emisionit “Shqipëria Live” ishte gazetari Arbër Hitaj.

Në studio u rikthye në vëmendje dhuna e ushtruar nga efektivët e policisë ndaj 15-vjeçarit, pranë Parkut të Liqenit Artificial në kryeqytet. Kjo temë u diskutua dhe në mbledhjen e zhvilluar, mes drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut dhe deputetëve që përbëjnë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në këtë mbledhje Veliu ka ilustruar para deputetëve një video, ku shihej nëna e 15-vjeçarit, Zaida Çobo, me një pistoletë në dorë. Pas këtyre deklaratave u mësua se në fakt bëhej fjalë për skenën e një filmi në të cilën ka luajtur zonja Çobo. Ndërkaq, gjatë fjalës së tij, Hitaj zbuloi se deputetët e pranishëm në mbledhje, me të cilët ai thotë se ka komunikuar, i kanë thënë gazetarit se nuk kanë reaguar sepse janë tronditur së tepërmi nga videoja.

“Unë kam pasur disa komunikime me ata deputetë dhe më thanë që u tronditëm me videon dhe prandaj nuk reaguam. U trodnitën nga video e drejtorit të policisë. Disa prej tyre kanë qenë pjesë e shoqërisë civile dhe u habita që aty hapën thjesht sytë. (A kanë reaguar publikisht deputetët?) Fatkeqësisht jo, sepse duhet të jemi realist politika nuk është një hapësirë për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes”, tha Hitaj.

Ardi Veliu publikoi videon me armë të nënës së 15-vjeçarit/ Orjola Pampuri: Familja pësoi një dhunë të dytë

Top Channel