Autoritetet në Moskë i lehtësuan masat e izolimit kundër koronavirusit, edhe pse numri i rasteve vazhdon të rritet.

Parqet dhe qendrat tregtare në kryeqytetin rus u rihapën dhe njerëzit u lejuan të dalin jashtë për shëtitje dhe ushtrime të kufizuara, për herë të parë në nëntë javë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha javën e kaluar se vendi i tij e ka kaluar kulmin e shpërthimit të koronavirusit.

Megjithatë, numri i të infektuarve është ende në rritje.

Të hënën, autoritetet ruse raportuan edhe për 9,035 raste të reja me koronavirus dhe për 162 viktima.

Në total, Rusia ka mbi 414,800 të infektuar – më së shumti në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit – dhe 4,855 viktima.

Zyrtarët thonë se numri i ulët i viktimave është për shkak të numrave të lartë të testimeve.

Kritikët, megjithatë, frikësohen se numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë.

Top Channel