Kur dashuria është e pastër/ “Më mirë me një në karrocë se sa me një drogaxhi”

29/05/2020 20:21

Në një fshat malor siç është fshati Shishtavec i Kukësit, buron një dashuri e kristaltë mes Rustemit dhe Sabrës. Prej gjashtë vitesh në një lidhje, historia e tyre është tejt e veçantë. Ishte viti 2014 kur furgoni me të cilën Rustemi po udhëtonte pësoi një aksident, nga ku humbën jetën 8 persona, ndërsa i vetmi që mbijetoi ishte Rustemi.

Fati deshti që Rustemi të mbijetonte, të mbijetonte por i lidhur pas një karrigeje me rrota, të cilën  e mban ende dhe sot. Pikërisht pas këtij aksidenti ai njohu dashurinë e jetës së tij, Sabrën. Edhe pse kanë gjashtë vite që janë bashkë, dashuria e Sabrës me Rustemin ende nuk është bekuar nga prindëit e vajzës, sepse ato nuk kanë pranuar për dhëndër Rustemin. Në këto kushte, Sabra i kërkoi Rustemit që të shkonte në Greqi (ku edhe jetonte) dhe ta merrte për në Shqipëri. Kështu ndodhi, Rustemi shkoi drejt Greqisë së bashku me të vëllanë dhe morën me vete Sabrën, por që nga ajo kohë e deri me sot, ajo ka humbur çdo kontakt me familjen.

Megjithatë shprehet falenderues ndaj tyre. I falenderon për të gjithë edukatën që i kanë dhënë dhe arsyen se përse zgjodhi për të jetuar me Rustemin. Është prekëse teksa dëgjon Sabrën të thotë: “Më mirë me një me karrocë, se sa një drogaxhi, se sa një bizozçi”. Këto janë Sabra dhe Rustemi, dy të dashuruarit që kishin vendosur të kurorëzonin dashurinë e tyre me martesë këtë verë, por pandemia e koronavirusit i detyroi i anuloi çdo plan. Të ftuar në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, dyshja tregoi të gjithë historinë e dashurisë së tyre.

Rustemi: Është një dramë dhe ngelet kujtim, por jeta vazhdon, është mjaft e bukur. Më ka mbetur kujtim shkurti i vitit 2014 falë edhe Sabrës jeta është shumë e bukur. Nga familja edhe vetë shpirti për të vazhduar përpara, dëshira për të jetuar. Kur zoti ta fal jetën për së dyti ke shumë forcë për të vazhduar përpara. Momenti me aksidentit ka qenë takimi me Sabrën. Aty më telefonoi më pyeste si je, më jepte kurajo për të vazhduar më përpara. Vazhduam si shokë për gjashtë muaj deri në takimin e parë në 3 dhjetor 2014. Këtë datë e kam takuar për herë të parë. Unë filloja fizioterapinë këtu në Tiranë. Ka qenë shumë e vështirë sepse si çdo familje, çdo prind ka dëshirë më të mirën për fëmijën e tij. Filluam me takime të fshehta dhe duhet njoftuar familja, e njoftova nuk pranuan. Edhe unë prita të rritej pak ta kuptonte jetën.  I duhej të jetonte me person me aftësi të kufizuar. Pas tre vitesh lidhje kam dërguar njerëzit në shtëpi siç është tradita jonë, nuk e pranuan lidhjen, pritëm edhe dy vite dhe aq nuk po ndryshonin mendim. Kur e vendos zoti diçka të ndodhë se ndalon asgjë. Kjo ishte në Greqi me familjen unë këtu. Më telefonoi dhe më tha ose të vish të më marrësh ose s’ka rrugë tjetër. U nisa nga fshati dhe ika në Greqi, shkuam atje dhe pritëm orët e vona të natës dhe doli Sabra e mora pa dëshirën e tyre. Në ato moment filloi konflikti. Ai ishte shkaku që të shkoja atë ditë ka qenë datë 5 korrik, u konfliktua me të shtëpisë dhe unë shkova nga këtu. Shkova atje dhe u nisa mëngjes herët këtu. Kam arritur atje në orën 11 të drekës. E prita të dilte nga shtëpia, doli në makinë dhe drejt Shqipërisë. Ka qenë si një ëndërr nuk më bëesohet që e kam bërë. Jemi munduar të lidhemi por akoma nuk janë qetësuar, sepse kanë qenë shumë të lidhur me Sabrën, akoma jemi kështu. Mua më vjen shumë keq për ata sepse e di si ndihen atë që ka vendos zoti të bëhet do të bëhet, nuk ka rrugë tjetër. Të kaloi kjo periudha e koronavirusit dhe do të bëjmë dasëm, por këtë verë nuk ka dasëm. Kam dëshirë të bëj një vizitë jashtë shtetit sepse kam shpresa. Puna është jetë. Më pëlqen gjithçka vetëm të integrohem pak me punë.

Sabra: Unë jetoja në Greqi, por kisha problemet me letrat dhe asokohe ndodhesha në Tiranë. Është dashuria me shikim të parë. Unë nuk do e quaja aksidentin fatkeqësi sepse në të vidqën tetë persona dhe Rustemi mbijetoi, kjo është mrekulli nga zoti. Sa për paragjykimet, më mirë në karrocë sesa me një drogaxhi, sesa me një bizozçi. Këto argumente ja kam thënë dhe familjes time. Gjej rastin për t’i falenderuar se prej tyre jam unë që jam. Çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijën e vet, por kur fëmija dëshiron një gjë nuk duhet ndalur. Më 28 shkurt ka dalë Rustemi nga spitali dhe po prisja ku po del ndonjë staus ta pyes ku je, aty nisi gjithçka. Nëse e dëshiron t’ja dalësh duhet të mendosh fort. Po ta nxjerrësh forcën nga brenda, arrin t’ja dalësh. Jeta vështirësi ka shumë, por kur e don dikë me shpirt dhe me zemër nuk merr asgjë parasysh. Rustemi është një njeri me zemër të madhe, ka një sens humori. Normal që është shumë e vështirë por jeta vazhdon. Plani është që me çdo kusht të jemi bashkë, edhe po të dilte ndonjë pengesë ne do të ishim vetëm bashkë. Unë nuk është se kam ardhur me idenë se ku do të jetoj, kam ardhur me idenë ku është Rustemi do të jetoj. Jeta për të është shumë e vështirë. Por më pas është dhe sezoni i dimrit që është shumë i gjatë. Edhe në verë në qoftë se nuk ke ku del, ne që jemi të shëndetshëm mërzitemi dhe jo më Rustemi.

 

FOTO GALERI
1/9

Top Channel