Sot është raportuar për fëmijën e parë në Zvicër, të vdekur nga koronavirusi. Bëhet fjalë për një foshnjë nga kantoni Aargau. Foshnja është infektuar jashtë vendit – sipas informacioneve nga SRF, në Maqedoni.
Ajo është transportuar përmes rrugës ajrore nga Maqedonia drejtpërdrejt në Spitalin e Fëmijëve në Zyrih, ku dhe ka vdekur.
Autoritetet shëndetësore në kantonin e Aargaut kanë deklaruar për mediat se foshnja kishte vdekur nga një përkeqësim i “sëmundjes së rëndë neurologjike”, ndërkohë që ishte prekur edhe nga Covid-19 përcjell albinfo.ch. Kjo mund të shkaktohet nga shumë lloje të viruseve. Foshnja ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitive për koronavirus. Por nëse edhe virusi është shkaku i vdekjes është ende e paqartë dhe tani po hetohet në këtë drejtim.
Sipas Kuster nga BAG, vdekja e foshnjës nuk duhet të ndryshojë vlerësimin e deritashëm rreth trajtimit të fëmijëve, transmeton albinfo.ch. Po kështu kjo nuk duhet të ketë ndikim në hapjen e shkollave dhe as në kujdesjen e gjyshërve për nipërit dhe mbesat, që është lejuar sërish, ditë më parë. “Ne e dimë që fëmijët mund të infektohen”, ka thënë Kuster.
Top Channel