Banorët e lagjës 14 në Durrës prej vitesh jetonin në mes të plehrave. Një subjekt privat e kishte shndërruar pronën e tij në një fushë të madhe të mbetjeve; shishe plastike, qese, plehra! Madje, edhe kafshë. Dhe, të gjitha në një zonë të banuar. Banorët janë ankuar për vite me radhë në të gjitha institucionet, por vetëm pas interesimit të Fiks fare fusha e mbetjeve u pezullua dhe institucionet u vunë në lëvizje.

“Ne kemi 20 vjet banorë të kësaj lagje dhe ky zotnia tokën e ka të vetën me letra. Ky e ka bërë pikë grumbullimi, biznes ai mund ta bëjë, po jo këtu në lagje. O të ikim ne, o të iki ky. Vetëm ilaçe për kalamajtë, ne që kemi fëmijë të vegjël e dimë sa kemi harxhu. Erdhi njëherë shteti me ato mjetet e ushtrisë, morën ato lekët, ikën në punë të vetë. Ikën një qeveri, vjen tjetra, ne këtu. Kur vijnë votimet të rrahin gjoksin, kur ikin…” thonë ata.

Sipas tyre, në zonë ka shumë plehra dhe “kur bie shi, bëhet rezervuar me ujë, të vjen miu në vjen në pjatë”. Disa të tjera thonë se janë ankuar në bashki dhe prefekturë, madje edhe me një listë prej 36 familjesh. “Në rast e kryeni ju si Fiks mirë, në rast se jo ne mbulohemi me këtë. Na mbytën minjtë, na ngelën lekët vetëm për këto plehrat këtu, dezifektojmë, helme gjëra. Ne nuk rezistojmë dot në këtë ambient” thonë ata për Fiks fare.
Por, teksa banorët ankoheshin, një zonjë brenda fushës së plehrave me disa qese me mbeturina, kryesisht perime të prishura, ia hedh shpendëve dhe kafshëve në fushën e plehrave.

Pas ankesave, gazetarët e Fiks fare kontaktojnë me Bashkinë e Durrësit. Pas 1 orë, inspektorët e policisë bashkiake, të rendit, të mjedisit, shkojnë te pronari i pikës. Ata i kërkojnë të gjitha dokumentacionin, nëse ka apo jo leje mjedisore. Gjithashtu, veterinerja i kërkon llogari përse mban shpendë dhe kafshë në këtë ambient. Pronari i thotë se do t’i heqë. Nga ana tjetër, inspektorët e mjedisit në Bashkinë Krujë i kërkojnë të gjithë dokumentacionin, ndërsa ai i përgjigjet se “nuk i kam aktualisht, do ti sjell në bashki”.

“Duhet leja e mjedisit, ky vend këtu, duhet të jetë i pajisur me leje mjedisi dhe raport monitorimi. Dhe të shohim pastaj kushtet e lejes se ti e shikon që normalisht në këto kushte një leje mjedisi nuk mund të jepet. Ose varet se në çfarë kushtesh ato e kanë dhënë. Momentalisht, vendi këtu është pa dokumentacion mjedisor” thotë inspektorja, ndërsa shefi i policisë bashkiake i thotë se “në momentin që nuk disponon lejen, do bëhet bllokimi, shiriti, të gjitha”.

Debatet vijojnë në pikë, teksa në një moment veterinerja i thotë se lejen mund ta ketë pasur kohë më parë dhe aktualisht nuk e ka kontrolluar njeri. “Deri në momentin që do paraqitësh dokumentacionin dhe do të thonë zonjat që ti je në rregull, qoftë larg, atëherë ju do të jeni të mbyllur përkohësisht. Një gabim është këtu, nëse do eksperiencën time. Çdo subjekt, në dyqanin e vetë, në njësinë e vet tregtare, në fabrikë, në uzinë duhet të ketë dokumentacionin. Dhe nuk mund të thuhet, ça të të them unë ty, në vitet që të thuash i ka ekonomisti. Ç’është ky muhabet. E zgjata kot! Në momentin ti duhet t’i kesh këtu. Nuk mund t’i quajmë që t’i mund të mos jesh me dokumentacion të rregullt, pastaj do vazhdojë problemi tjetër, si zbatohet leja që e ndjek tjetër kush, janë inspektorë të tjerë që e ndjekin” thotë polici bashkiak.

Inspektorja vijon se do të komunikojë me zyrat përkatëse për lejen mjedisore. “Nëse je i pajisur, do verifikojnë inspektorët përkatës. Sepse ato në rast se ka shkelje bëjnë mbyllje aktiviteti bashkë me policinë, sipas legjislacionit në fuqi” përfundon ajo.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA