Shokohet Ukraina/ Oficerët përdhunojnë e torturojnë gruan në stacionin e policisë

27/05/2020 20:52

Dy policë “më shumë se të djallëzuar” janë arrestuar sot në Ukrainë të akuzuar se kanë përdhunuar e torturuar një femër dëshmitare krimi, pasi e kishin detyruar të vishte maskë kundragazi.

Oficerët Nikolay Kuziv, 35 vjeç, e Sergey Sulima, 29 vjeç, të dy të martuar, u lanë në paraburgim deri në kryerjen e hetimeve për rastin skandaloz.

Gruaja 26 vjeçare ishte urdhëruar të paraqitej në stacionin e policisë në Kagarlyk, ky dy policët e kishin detyruar të vendoste një maskë gazi, e kishin prangosur dhe kishin qëlluar me armë sipër kokës së saj, sipas deklaratës së Byrosë Shtetërore të Hetimit.

Ajo më pas ishte përdhunuar vazhdimisht prej tyre për rreth nëntë orë, teksa oficerët pinin vodka, sipas akuzave.

Ata raportohet se me radhë mbanin duart e gruas teksa tjetri e përdhunonte.

Oficerët e kishin kërcënuar me vdekje, duke i thënë se do ta varrosnin në pyll, raportonte agjencia vendase Strana.

Ata kishin tentuar ta bindnin të pranonte fajin për një vjedhje që gruaja nuk kishte kryer. Viktima thotë se ishte vetëm dëshmitare e një vjedhjeje.

Dy oficerët akuzohen gjithashtu se kishin sulmuar dhe një burrë, e kishin kërcënuar me përdhunim, dhe pasi e kishin ulur në gjunjë e kishin goditur me shkopinj dhe i kishin veshur maskë kundragaz.

Oficeri Nikolay Kuziv ishte kreu i zyrës së hetimeve kriminale, ndërsa Sulima vartës i tij.

Aktivistja vendase e të drejtave të njeriut Alina Bodnar tha: “Si mund të ndodhë kjo kur ai (Kuziv) ka familje, grua e prindër? Si nuk është bërë asgjë për ta ndaluar në kryerjen e krimeve të tij? Si kanë qëndruar të heshtur kolegët e tij? Cili nuk i ka dëgjuar ulërimat e gruas?”

Kreu i policisë kombëtare Igor Klymenko ka shpërbërë të gjithë njësinë policore në fjalë dhe ka arrestuar anëtarët e saj.

Kritikët thonë se rasti dëshmon për dështimin e reformës së premtuar të policisë në Ukrainë.

“Kjo histori është përtej ligësisë,” tha deputeti ukrainas Andriy Osadchuk.

Kreu i policisë së kryeqytetit Kyev, Andriy Nebytov i quajti oficerët e ndaluar “dy monstra” që nuk kishin arritur asgjë në forcën e policisë.

Duke i quajtur ata “plehra”, ai shkruante se “nuk kishin zgjidhur asnjë krim e nuk kanë kapur asnjë kriminel të rrezikshëm”.

“Me këtë, ata vetëm kanë pështyrë në fytyrë të të gjithë policëve të vendit që luftojnë krimin, mbrojnë rendin publik, duke tentuar të rrisin besimin e qytetarëve të organet e ligjit”.

Zv. ministri i brendshëm Anton Herashchenko, postoi fotot e dy policëve nga qelitë.
Hetimet vazhdojnë.

FOTO GALERI
1/4
Nikolay Kuziv ishte kreu i zyrës së hetimeve kriminale

Top Channel