Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për integrim, Monika Kryemadhi pasditen e sotme ka shkuar në selinë e Partisë Demokratike ku pritet të takohet me kreun e PD, Lulzim Basha.

Së bashku me Kryemadhin ka qenë edhe Petrit Vasili, ndërkohë takimi vjen pak orë pas takimit të kreut të PD-së me Ambasadorin Gjerman, Peter Zingraf.

Ndërkohë takimet në selinë e PD po mbahen një ditë para mbledhjes së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Kjo mbledhje ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë pas arritjes së konsensusit për 3 çështje të rëndësishme do të mblidhet nesër në orën 17:00.

Në takim do të marrin pjesë përfaqësuesi i mazhorancës, bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i PD-së Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i LSI-së Petrit Vasili dhe bashkëkryetarja e Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuese e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari.

Këshilli Politik, pritet të diskutojë masat që rregullojnë veprimtarinë e prokurorisë, policisë, të SPAK, krimin zgjedhor.

Një ditë më parë Këshilli Politik pati një takim të suksesshëm, ku gjeti konsensusi për tri nga çështjet e rëndësishme të Reformës Zgjedhore, si kufizimin e periudhës zgjedhore në  15 prill-15 maj dhe nga 15 tetori-15 nëntor, parimin e kuotës gjinore dhe financimin për partitë politike.

Palët janë angazhuar për ta përfunduar Reformën Zgjedhore deri më 31 maj.

Top Channel