Durrës/ Zaptimi i plazhit publik, arrestohet pronari, nën akuzë edhe për ndërtim të paligjshëm

27/05/2020 00:41

Zaptimi i pronës publike në bregdet dhe betonizimi i plazhit është kthyer prej vitesh në një realitet, që ende vazhdon. Në prag të çeljes së sezonit turistik, policia e Durrësit në bashkëpunim me IKMT-në kanë shtuar kontrollet me qëllim parandalimin e krimeve mjedisore dhe zaptimit të pronës publike në plazhe.

Gjatë këtyre kontrolleve është konstatuar një rast i ri i pushtimit të plazhit publik dhe ndërtimit pa leje në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Pronari 66-vjeçar i këtij lokali e ka rrethuar me mur dhe bordura betoni një sipërfaqe toke para lokalit, për qëllime fitimi.

Pas konstatimit, pronari i lokalit u arrestua në flagrancë, ndërsa pritet që brenda kësaj jave inspektorët e IKMT-së të prishin këtë rrethim betoni. Ndaj të arrestuarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”, për të cilat ai rrezikon dënimin me gjobë dhe burgim nga një deri në pesë vjet.

Top Channel