Çfarë ndodhi! Dy “Su-35” rusë i afrohen kërcënueshëm avionit amerikan

27/05/2020 10:22

Dy aeroplanë luftarakë rusë të tipit “Su-35” kanë fluturuar në mënyrë të pasigurtë dhe joprofesionale duke e penguar një aeroplan patrullues amerikan të tipit “P-8A” në hapësirën e ujërave ndërkombëtare në detin Mesdhe, ka njoftuar marina amerikane.

Flota e 6-të e Marinës së Sh.B.A.-së tha që incidenti më 26 maj zgjati rreth 65 minuta, gjatë së cilës pilotët rusë fluturuan njëkohësisht në çdo krah të P-8A dhe kufizuan aftësinë e avionit për të manovruar.

“Veprimet e panevojshme të pilotëve të aeroplanëve rusë, Su-35, ishin në shpërputhje me pilotimin e mirë dhe rregullat ndërkombëtare të fluturimit si dhe e cenuan sigurinë e aeroplanëve”, thuhet në deklaratën e flotës me bazë në Napoli të Italisë.

“Veprimet si këto e rrisin rrezikun për përplasje në ajër”, thuhet më tej në deklaratë, shkruajnë mediat amerikane.

Kjo ishte hera e tretë brenda dy muajve që pilotët rusë i afrohen në mënyrë të pasigurt një aeroplani amerikan në ujërat ndërkombëtare në Mesdhe.

Forcat amerikane thanë se në të gjitha rastet, aeroplanët amerikanë kanë qenë duke operuar në hapësirë ajrore ndërkombëtare, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke e vlerësuar sigurinë e fluturimeve dhe nuk i kanë provokuar aktivitetet ruse./REL

Top Channel