Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Podujevës sot ka analizuar gjendjen e sigurisë në këtë komunë dhe është informuar rreth gjendjes me COVID-19 dhe masat parandaluese, si dhe sensibilizimi i qytetarëve për pasojat nga zjarri gjatë periudhës së korrje-shirjeve dhe djegieve të pyjeve.

Nënkryetari Nexhmi Rudari ka shqyrtuar gjendjen e sigurisë në komunë, informatën rreth gjendjes emergjente të krijuar nga pandemia COVID-19 dhe masat parandaluese dhe sensibilizimi i qytetarëve për pasojat nga zjarri gjatë periudhës së korrje-shirjeve dhe djegieve të pyjeve.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, kapiteni Bekim Zogiani, gjendjen e përgjithshme të sigurisë e vlerësoi të qetë dhe stabile.

Ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 56 raste të mos respektimit të dispozitave shëndetësore në kohë pandemie. Ndërsa, aktualisht 32 persona në territorin e Komunës së Podujevës janë në vetizolim.

Shqetësuese gjatë kësaj periudhe, sipas komandantit Zogiani, janë rastet e raportuara të vjedhjeve dhe dhunës në familje.

Përfaqësuesi i KFOR-it gjendjen e sigurisë në Komunë e ka vlerësuar të qetë dhe stabile dhe vlerësoi lart menaxhimin e situatës gjatë pandemisë COVID-19.

Edhe përfaqësuesi i FSK-së raportoi për angazhimin e forcës së sigurisë gjatë kësaj periudhe, veçmas kontributin në transportin e qytetarëve që janë kthyer nga vendet e tjera.

Nënkryetari Rudari vlerësoi punën që po bën ekipi mjekësor i QKMF në pikë-kalimin kufitar në Merdar, i cili që nga shpallja e pandemisë ka bërë mbi 8,000 kontrolle të personave që kanë hyrë në këtë pikë kufitare.

Ai tha se në komunën e Podujevës aktualisht nuk ka asnjë person të prekur me COVID-19, kurse nga 20 prilli nuk është shënuar asnjë rast me të infektuar.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, tha se Komuna ka ndarë 362,000 euro për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia. Nga buxheti i komunës janë siguruar 2,280 pako ushqimore për qytetarët dhe mbi 2000 të tjera nga donatorët.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, tha se deri tani janë evidentuar 182 raste të djegies së pyjeve, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe prej 343 hektarësh dhe 104 hektarë barishte dhe hamullore.

Ai tha shqetësuese mbeten rastet e djegies së pyjeve të cilat shkaktohen me qëllim, pasi gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur temperatura të larta.

Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, tha se nevojitet sensibilizim i qytetarëve për parandalimin e kësaj dukurie dhe mobilizim më i madh i të gjitha strukturave përgjegjëse, përfshirë Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Agjencinë e Pyjeve të Kosovës.

Top Channel