Një njeri ka vdekur dje në Minneapolis, SHBA pasi mbahej me fytyrë në tokë nga polici që po e arrestonte, megjithëse ulërinte nga dhimbjet dhe paralajmëroi se nuk merrte dot frymë.

Një video shokuese tregon momentin tragjik kur polici i Minneapolis e mbante përtokë afro-amerikanin me një nga gjunjët e tij, disa momente para se ai të humbiste ndjenjat e të vdiste.

Pamjet e rënda u morën nga një kalimtare e cila po bashkëpunon me hetimet e FBI mbi incidentin e rëndë.

Policia e Minneapolis konfirmoi vdekjen e të arrestuarit, duke thënë se dy oficerët kishin reaguar ndaj një falsifikimi në progres.
Policia kishte identifikuar burrin rreth të 40-ave në makinën e tij.

“Ai u urdhërua të dilte nga makina. Pasi doli nisi t’i rezistonte fizikisht oficerëve”, tha zëdhënësi i policisë John Elder në deklaratë.
“Oficerët arritën të prangosnin të dyshuarin dhe thanë se ai dukej se vuante nga një trazirë mendore”, shtoi ai.

Viktima ende nuk është identifikuar por raportohet se u dërgua me ambulancë në spitalin e Hennepin County ku vdiq pak më vonë.

Kalimtarja Darnella Frazier shpërndau videon tronditëse të incidentit në Facebook ku njeriu i duket i ngulur përtokë me forcë nga policët për më shumë se gjashtë minuta, megjithse u lutet ta lënë të lirë.

“Ju lutem, ju lutem, nuk marr dot frymë”, dëgjohet që u lutet policëve njeriu pa veshje në pjesën e sipërme të trupit.

Shumë dëshmitarë dëgjohen më tej që debatojnë me policët për përdorimin e forcës së ekzagjeruar.

“Të paktën lerë të marrë frymë”, dëgjohet që u thotë një qytetar. “Ai nuk po i reziston arrestimit”, shton qytetari.
Një nga oficerët përgjigjet: “Prandaj ju të tjerët nuk bëni droga”.

“Kjo s’ka të bëjë me drogat vëlla! Ai është njeri”, thotë kalimtari.

Pas rreth katër minutash ne video, njeriu duket që nuk është më i ndërgjegjshëm.

Një ambulancë vjen më pas dhe policia vendos trupin e palëvizshëm të burrit në barrelë.
Një kalimtar mashkull thotë: “Ti sapo e vrave atë njeri”.

Video ka shkaktuar zemërim të gjerë në rrjetet sociale dhe eshte shperndare 7,000 herë.

Autorja e pamjeve Frazier, komentonte: “Ata vranë një njeri përpara Cup Foods në rrugën e 38-të në Chicago!! #PoliceBrutality”.

Sot, hetimeve të FBI iu bashkua dhe zyra e hetimit të Minnesota.
Policët janë lënë me leje administrative gjatë zhvillimit të hetimeve.

Kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey foli për incidentin në një konferencë shtypi duke e quajtur, “i gabuar në çdo nivel”.

“Të jesh zezak në Amerikë nuk duhet të jetë një dënim me vdekje. Ne shikojmë që për pesë minuta oficeri i bardhë mban gjurin mbi qafën e një zezaku, për pesë minuta me radhë. Kur dëgjon dikë që thërret për ndihmë, normalisht duhet të ndihmosh. Oficeri në fjalë ka dështuar në sensin më bazik njerëzor. Ai ishte një njeri dhe jeta e tij kishte rëndësi”, tha Frey.

Senatorja e Minnesota, Amy Klobuchar kërkoi në një deklaratë që policët e përfshirë të japin llogari.

“Ne dëgjuam thirrjet e tij të përsëritura për ndihmë. Ne dëgjuam që tha disa herë se nuk merrte dot frymë. Kemi dëshmuar një rast të kobshëm vdekjeje të një afro-amerikani”, tha ajo.

FOTO GALERI
5/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA