Netanyahu cakton datën për aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor

26/05/2020 03:58

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ka caktuar korrikun si datë për vendosjen e sovranitetit izraelit mbi pjesë të Bregut Perëndimor.

Në fillim të mbledhjes së klubit parlamentar të partisë konservatore Likud, Netanyahu u tha deputetëve se nuk ka ndërmend të ndryshojë datën dhe vlerësoi se nuk kishte asnjë moment më të mirë në histori për vendosjen e sovranitetit, i cili është i barabartë me aneksimin e atyre territoreve.

“Ne kemi një mundësi që nuk ka ekzistuar që nga krijimi i Izraelit në vitin 1948, për të vendosur sovranitetin në një mënyrë të mençur dhe si një hap diplomatik në Judea dhe Samaria, emri biblik i Bregut Perëndimor dhe ne nuk do të lejojmë që ajo mundësi të kalojë,” tha Netanyahu.

Vendosja e sovranitetit të Izraelit mbi pjesë të Bankës Perëndimore do të ishte në përputhje me planin e paqes në Lindjen e Mesme të presidentit amerikan Donald Trump, të paraqitur në janar. Plani mbështet krijimin e sovranitetit izraelit mbi rreth 30 për qind të Bregut Perëndimor të okupuar.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha javën e kaluar se po pezullonte të gjithë bashkëpunimin e sigurisë me Izraelin pasi Netanyahu shprehu synimin e tij për të aneksuar të gjitha vendbanimet hebraike dhe luginën strategjike të lumit Jordan.

Komuniteti ndërkombëtar po shqetësohet gjithnjë e më shumë dhe paralajmëron Izraelin të mos zbatojë aneksimin.Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor në luftë në vitin 1967, dhe palestinezët planifikojnë të krijojnë një shtet të pavarur në të gjithë territorin, i cili do të përfshinte Rripin e Gazës dhe kryeqyteti i të cilit do të ishte Jerusalemi Lindor.

Top Channel