Kina: SHBA po shkon drejt një lufte të re të ftohtë me Pekinin

26/05/2020 03:05

Kina thotë se disa “forca politike” në Shtetet e Bashkuara kanë marrë peng marrëdhëniet bilaterale dhe po shtyjnë dy ekonomitë më të mëdha në botë drejt “një lufte të re të ftohtë”.

Në një koment të dielën ndërsa në Pekin zhvillohej Kongresi Kombëtar Popullor, ministri i Jashtëm Kinez Wang Wu tha se “në SHBA po përhapet një virus politik” i cili siç tha ai është “duke përdorur çdo mundësi për të sulmuar dhe njollosur Kinën”.

Zoti Wang tha se Kina nuk ka ndërmend të ndryshojë ose zëvendësojë SHBA dhe se SHBA nuk duhet të “ndryshojë Kinën e të ndalë 1.4 miliardë njerëz në marshimin e tyre historik drejt modernizimit”.

Administrata Trump është përplasur muajt e fundit me Pekinin në lidhje me një sërë çështjesh, përfshirë tregtinë, teknologjinë dhe pandeminë e koronavirusit. Presidentin Donald Trump ka pohuar se virusi ka dalë nga një laborator në Wuhan, qyteti kinez ku virusi u zbulua për herë të parë vitin e kaluar.

Një ligj i propozuar nga Kina për Hong Kongun, mbi çështje të sigurisë, është bërë shkak për një përplasje të re mes dy vendeve. Kritikët thonë se ky ligj kërcënon statusin gjysmë autonom të Hong Kongut./VOA

Top Channel