Në Kosovë, nga data 28 maj, do të fillojë lehtësimi i mëtejshëm i masave të izolimit kundër koronavirusit.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, dha detajet. Sipas tij, objektet fetare do të hapen nga data 28 maj e po ashtu orari i lëvizjes do të ndryshojë. Do të shfuqizohen masat për lëvizje të qytetarëve në fashën nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 21:00.

Vitia po ashtu tha se varësisht nga situata epidemiologjike, deri në fund të këtij muaji do të mbyllet edhe karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Sa i përket hapjes së kufijve, ai tha se ende nuk ka ndonjë vendim dhe se gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike dhe nw shtetet e tjera.

Ndërkaq, sa i përket hapjes së shkollave dhe kopshteve të fëmijëve, Vitia tha se po vazhdojnë diskutimet me Ministrinë e Arsimit dhe se në qershor mund të ketë lehtësim të masave. Vendimi për lehtësim të disa masave vjen pas rënies së numrit të rasteve të infektuara me koronavirus në Kosovë. Një ditë më parë, autoritetet nuk regjistruan asnjë rast të ri me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është 1,032. Prej tyre, 29 janë viktimat dhe 789 janë shëruar.

Top Channel