Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i kujton kryetari të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, marrëveshjen e nënshkruar 10 muaj më parë.
Në paragrafin 5 të kësaj kontrate shkruhet:
“Partia Demokratike angazhohet për një sistem zgjedhor, që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese, që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve apo forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit. Diskutimi mbi këtë çështje duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë në hartimin e tyre përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.”
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, përmes një postimi në Facebook, i rikujton kreut të PD-së se edhe pse kanë kaluar tashmë 10 muaj nga nënshkrimi i kësaj kontrate ende nuk ka nisur një konsultim, teksa mbetet më pak se një javë nga afati për miratimin e reformës zgjedhore.
“Në këto kushte, ne gjykojmë se zgjidhja e vetme është miratimi i sistemit proporcional kombëtar, me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit, pa ndërhyrje në Kushtetutë.
Ne kërkojmë gjithashtu hapjen e debatit kombëtar për një Kushtetutë të re, hartimin brenda vitit dhe miratimin me referendum në pranverë 2021″, shkruhet më tej në postim.
Postimi i plotë:
Top Channel