Myslimanët sot festojnë Fitër Bajramin, festë kjo që vjen pas agjërimit njëmujor të muajit të shenjtë të Ramazanit, por për shkak të pandemisë Covid-19, këtë herë, secili besimtar do të shkojë në xhamitë kryesore të qyteteve.

Fiter Bajrami është festa e parë e këtij viti në kalendarinë islam dhe pas faljes së mëngjesit, rituali vazhdon me prerjen e kurbanit duke vijuar me urimet.

Ndërkohë që vizitat familjare do të shmangen për shkak të situatës që po kalon mbarë bota.

Por, çfarë është Fiter Bajrami?

Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.

Namazi i Bajramit është vaxhib (obligim i domosdoshëm) për çdo mysliman. Muhammedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz.

Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit.

Namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve tjera për nga mënyra e faljes. Në rekatin e parë pas tekbirit fillestar merren shtatë tekbire, mandej lexohet sureja Fatiha dhe ndonjë sure tjetër (preferohet të lexohet sureja A’ëla ose Kaf).

Pas plotësimit të rukusë dhe sexhdesë së rekatit të parë, ngritet për në rekatin e dytë dhe menjëherë merren pesë tekbire pas të cilëve lexohet Fatiha dhe ndonjë sure (preferohet leximi i sures Gashije ose Kamer), më pas shkohet në ruku dhe sexhde e kështu përfundon namazi.

Top Channel