Dita e biodiversitetit/ Vëzhgohen speciet e rrezikuara në luginën e Drinos

22/05/2020 15:50

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, një grup biologësh dhe ornitologësh të njohur kanë bërë vëzhgime specifike në luginën e Drinos e cila është habitati për disa shpendë të rrallë të rrezikuar globalisht.

“Sot në ditën borërore të larmisë biologjike, 22 maj një ditë që festohet apo gëzohet në të gjithë globin ne zgjodhëm të vizitojmë pikërisht luginën e Drinos, zonën e rëndësisë globale për shpendët e cila është streha e kalit të qyqes, e shaiponjës së malit, e skifterit kthetraverdhë, e lejlekut dhe qindra gjallesave të tjera që jetojnë këtu, shpendë rrëmbenjës ose jo. Është një luginë e jashtëzakonshme dhe ne erdhëm këtu për të vënë në pah këto vlera. Dje në pamë kalin e qyqes në fluturim dhe sigurisht që kontrolluam edhe folenë e tij në distancë për të parë sesi shkon aktiviteti. Është shumë emicionuese ta shohësh folezimin. Këta shpendë përballen me shumë rreziqe sidomos një pjesë e të vegjëlve ngordhin gjatë fluturimit për në Afrikë por edhe individët e rritur hasin shumë pengesa siç janë infrastruktura e energjisë. Do të kërkojë vite për përmirësimi i situatës”, u shpreh Taulant Bino, biolog.

Rezervuari i Bulos është një nga habitatet kryesore për kredhësit dhe biologët po vëzhgojnë sot sjelljen e zogjve në prag të çiftëzimit.

“Kam disa minuta që po vëzhgoj sipërfaqen e rezervuarit për prani të shpendëve ujorë. Për momentin jam duke parë disa kredharakë, kredharaku i madh, çafka e madhe e bardhë dhe disa bajza. Tani po shoh kredharakët që po drejtohen drejt bimësisë dhe zakonisht për të kuptuar sjelljet e tyre riprodhuese ka një ritual çiftimi që ka të bëjë me lëvizje të koordinuara”, tha Klea Duro, biologe.

Biologët kanë vëzhguar edhe një tjetër specie të kërcënuar me zhdukje,3 individë të lejlekut të zi. Është një ngjarje e rrallë vëzhgimi i këtij shpendi për shkak të sjelljes diskrete dhe natyrës vetmitare larg pranisë së njeriut. Gjithashtu ekipi i ekspertëve konfirmoi një situatë stabël të situatës së kalit të qyqes por tërheq vëmendjen për mosrritjen e numrit të individëve si dhe shqetësimin e habitatit të shpendëve të rrallë.

“Ka një sensibilizim përsa i përket përdorimit të kërmave helmuese që bëhet kryesisht për mishngrënësit e mëdhenj të cilët dëmtojnë bagëtitë e barinjve dhe kjo metodë nuk përdoret në masë, vetëm raste sporadike por kjo mbetet kërcënim për kalin e qyqes duke qenë se e ka dhe pjesë të menusë së tij. Ne mund t’i parandalojmë këto por ka dhe aktivitete të tjera si të ndalojmë shqetësimin e kësaj specjeje, të ndalojmë persekutimin e saj gjithashtu të mbrojmë territorin që ky shpend përdor për folezim dhe ushqim”, sqaroi Kristi Bashmili, studiues.

Gjatë censusit ndërkombëtar të shpendëve në janar u numëruan 104 individë të shapkës së përhimtë, çafkës së madhe të bardhë, disa lloje kredhësish, rosave kokëkuqe etj. duke konfirmuar një rritje të popullatës së shpendëve dimërues gjatë 3 viteve të fundit ndërsa situata e shpendëve shtegëtarë vijon të mbetet problematike.

Top Channel