Një profesionist i luftimeve ekstreme në kafaz ka qëlluar për vdekje me thikë ish-të dashurën, para vajzës së saj adoleshente.
36 vjeçari Andrew Wadsworth, nga Wigan në Britani, doli sot në gjyq i akuzuar për vrasje dhe tentativë vrasjeje.
32 vjecarja Melissa Belshaw kishte pësuar plagë “katastrofike” në sulmin barbar jashtë shtëpisë së saj në Wigan, të mërkurën.
Një fqinj i guximshëm që tentoi të ndërhynte gjithashtu u plagos rëndë prej sulmuesit.
Fqinjët thanë se Melissa, nënë e një fëmije, lutej për ndihmë me ulërima teksa u qëllua me thikë para bijës së saj. Ajo ishte shpallur e vdekur në vendngjarje.
Nëna e saj Jean Mulvaney, tha se kishte humbur “personin më të rëndësishëm të jetës”.
58 vjeçarja zemërthyer Jean, tha: “Ajo ishte një fëmijë i mrekullueshëm dhe personi më i rëndësishëm në jetën time. Një monstër ma mori atë. Djemtë e mi Lee e Nathan, janë të shtangur, sikur të mos ishte për ta unë nuk do të isha këtu tani, do të isha me Melisën. Ajo do të hapte së shpejti një dyqan të vetin parukerie. Më thoshte ‘dua që të jesh krenare për mua’”.
Policia lavdëronte dy fqinjë për ndërhyrjen e tyre të guximshme, të cilët kishin vrapuar drejt sulmuesit për të dhënë ndihmën e tyre.
Një fqinj në të 40-at është në spital pasi u plagos teksa tentonte të ndalonte sulmuesin. Një tjetër burrë kishte ndërhyrë duke nxjerrë jashtë rrezikut të voglën.
Seanca e ardhshme për Wadsworth është caktuar më 26 maj.
Top Channel