Ashensorët anti-CoVid/ Në vend të butonave, pedale

22/05/2020 17:02

Pandemia e koronavirusit që është përhapur në të gjithë botën, ka bërë që jeta siç e njihnim deri më tani, të ndryshojë rrënjësisht. Me distancim social, pa shtrëngime duarsh, pa përqafime dhe në vigjilencë të përhershme për të evituar prekjen nga virusi. Ajo që ekspertët kanë këshilluar me forcë, është higjena personale, larja e duarve, dezinfektimi dhe kujdes me sipërfaqet më të ndotura siç janë dorezat e dyerve apo ashensori.

Por, bashkë me vigjilencën e rritur, janë shtuar edhe idetë inovatore. Nga Tajlanda, së fundmi, vjen ideja e një ndryshimi të paimagjinueshëm deri më tani të ashensorëve. Në vend të butonave që duhen shtypur për hapjen apo lëvizjen me ta, një qendër tregtare, sjell pedale, gjithçka me qëllim reduktimin e rrezikut të prekjes. Dhe ideja anti-koronavirus e kësaj qendre tregtare në Bangkok, është vlerësuar jo pak nga klientët që kanë thënë se ndjehen më të sigurt në këtë ambjent ku drejtuesit kanë menduar për masat anti covid edhe në ashensor.

 

Top Channel