Trump thotë se po tërheq SHBA nga traktati Qiej të Hapur për fluturimet, fajëson Rusinë

21/05/2020 20:26

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar vendet aleate se do të nxjerrë vendin e tij nga një nga mekanizmat e paktë të mbetur për kontrollin e armëve– traktati ;Qiej të Hapur’ – duke cituar si arsye shkeljet e Rusisë ndaj marrëveshjes.

“Rusia nuk i është përmbajtur traktatit,” tha Trump për gazetarët në Michigan duke shtuar se SHBA mund të rikthehet më vonë ose të negocjojë një të ri me Rusinë.

Traktati Qiej të Hapur ose i njohur ndryshe si ‘Open Skies’ ka qenë në fuqi prej vitit 2002, dhe lejon kalimin e avionëve të paarmatosur të mbikqyrjes, mbi territoret e vendeve anëtare.

Kjo kryhet me anë të vendosjes së personelit amerikan në bordin e fluturimeve ruse mbi SHBA dhe anasjelltas. Qëllimi i nismës është mbajtja nën mbikqyrje e territorit të vendeve rivale për të evituar garën e armatimeve.

“Rusia nuk e ka shkelur traktatin”, tha sot zv. ministri i jashtëm Alexander Grushko, duke shtuar se vendet mund të diskutojnë për çështjet teknike dhe shkeljet e pretenduara nga SHBA.

Sipas zyrtarëve të administratës amerikane, Rusia ka kufizuar fluturimet mbi Moskë, në republikën e Çeçenisë dhe pranë Abkazisë e Osetisë së Jugut. Këto të fundit SHBA i konsideron pjesë e Gjeorgjisë, ndërsa Rusia si republika të pavarura të mbështetura prej saj.

Moska ka thënë më parë flota e avionëve amerikanë është ulur prej mungesës së fondeve dhe mirëmbajtjes, dhe se Uashingtoni e përdor këtë për t’u mohuar kërkesat e fluturimeve mbi SHBA.

Sipas New York Times, noftimi zyrtar do i dërgohet zyrtarisht nesër Rusisë. Por Moska e ka pritur këtë, teksa prej muajit të kaluar ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov tha se “vendimi është marrë tashmë në Uashington.”

Top Channel