Një bebe vetëm dy ditëshe ka humbur jetën nga koronavirusi në Afrikën e Jugut duke u bërë një nga viktimat më të reja të virusit në botë.
E ëma, kishte rezultuar pozitive me covid 19 dhe fëmija, pas testimit, po ashtu. Foshnja kishte lindur para kohe dhe kishte nevojë për oksigjen – thanë zyrtarët.
I pyetur nga BBC nëse kjo ishte viktima më e re e koronavirusit në Afrikë, drejtori i qendrës afrikane për kontrollin e sëmundjeve, tha : Me sa dimë ne, ky është rasti i parë në Afrikë për të cilin ne jemi në dijeni.
Mes viktimave të tjera të reja të koronavirusit është edhe një foshnje tre ditëshe që u nda nga jeta më 5 maj në Britaninë e Madhe. Në atë rast, nëna dhe foshnja rezultuan pozitive për koronavirus pas lindjes. Bebja kishte lindur me një ritëm të ulët të rrahjeve të zemrës dhe mjeku ligjor listoi si shkak kryesor të vdekjes encefalopatinë ishemike, që do të thotë se truri kishte mbetur pa gjak dhe oksigjen, ndërsa covid 19 u listua si shkak i dytë.
Numri i viktimave të koronavirusit në Afrikën e Jugut tani ka shkuar në 339 dhe numri i rasteve të konfirmuara është 18003. Një model më i fundit parashikon se deri në 40 mijë njerëz mund të humbasin jetën në Afrikën e Jugut nga koronavirusi, gjatë muajve të ardhshëm.
Top Channel