Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka kritikuar diskursin publik të krerëve të shtetit. Institucioni ka përmendur presidentin dhe kryeministrin në detyrë për paragjykim në vendimmarrjen e saj duke shtuar se nuk iu nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve.
Akuzat e drejtpërdrejta të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti për njëri-tjetrin se po mundohen të ndikojnë në vendimmarrje të gjykatës për rastin e dekretit të Thaçit, GJK-ja ka thënë se po i ndjek me shqetësim.
“Gjykata Kushtetuese po ndjekë me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga Presidenti dhe Kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re. Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, gjykata ka thënë se dënon edhe përfoljen e gjyqtarëve individualë, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje.
Top Channel