​Kurti: Kërcënimi nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, nuk është ndaj meje por …

19/05/2020 22:16

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se kërcënimi ndaj tij nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj tij por ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj kryetares së Gjykatës, Arta Rama-Hajrizi dhe gjyqtarit raportues të çështjes KO 72/20, Nexhmi Rexhepi dhe nuk ka shpjegim tjetër.

Sipas Kurtit, regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. “Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata. Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin.

Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë. Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai duke shtuar se në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojnë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës.

Kurti ka publikuar edhe komunikatën e të ashtuquajturës “Garda Vullnetare Shqiptare” si dhe fotografinë ku shihet se ai është nën shënjestër.

Top Channel