Autoritetet paralajmërojnë për keqpërdorimet prej ekstremistëve të djathtë të protestave për shkak të masave kundër virusit Corona. Mund të tërhiqen paralele me protestat kundër valës së refugjatëve.
“Ne po shohim një trend të përpjekjeve për instrumentalizimin e protestave nga ekstremistët, në veçanti nga ekstremistët e djathtë”, deklaroi presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen Kushtetuese, Thomas Haldenwang, për gazetën “Welt am Sonntag”. Ajo që ka filluar me propagandë në internet, me teori komploti dhe lajme të rreme për pandeminë, tani po transferohet në botën reale.
Ekstremistët e djathtë po kërkojnë të bashkangjiten me qytetarët që po protestojnë dhe i kanë ftuar aktivistët e vet të jenë sa më aktivë në protesta, theksoi Haldenwang. “Ekziston rreziku që ekstremistët e djathtë të futen në masën e protestave të qytetarëve që respektojnë të gjitha rregullat kushtetuese dhe në një moment të dalin në krye të tyre”, thonë autoritetet.
Deri tani në protestat që janë parë në Gjermani nuk vërehet ndonjë koncept apo lëvizje politike pas tyre, sepse protestat po bëhen nga një strukturë heterogjene e njerëzve. Por autoritetet janë të shqetësuara për shkak të mundësisë që ekstremistët të keqpërdorin këto protestat, ngjashëm si në kohën e krizës së refugjatëve, shpjegon Haldenwang.
Edhe ministri i Brendshëm i Renanisvë Veriore-Vestfalisë Herbert Reul mendon se ky rrezik është real: “Nën lëkurën e deleve kemi aktualisht shumë ujq, që me parullat e tyre antidemokratike po përpiqen të futen në mesin e shoqërisë”, theksoi politikani i CDU-së për gazetën “Welt am Sonntag”. Në protestat për shkak të masave ndaj virusit Corona mund të shihen grupe të ndryshme të shoqërisë – pjesërisht edhe aktivistë të grupeve ekstreme.
Përfaqësuesit e partive në pushtet por edhe ata të opozitës kanë shprehur frikën ditët e fundit se në mesin e protestuesve mund të futen edhe forca antidemokratike që do të përpiqen të instrumentalizojnë këto protesta për qëllime të veta politike. Mijëra njerëz kanë protestuar në fundjavë në qytetet e mëdha gjermane kundër masave të qeverisë, për parandalimin e përhapjes së virusit SARS-CoV-2. Gjatë protestave, të cilat kanë qenë shumë më të mëdha sesa është menduar, janë dëgjuar parulla të ndryshme kundër masave të qeverisë, por edhe parulla të ndryshme që kanë lidhje me teoritë e komplotit.
Shqetësime edhe në vendet e tjera evropiane
Protesta kundër masave në kohën e virusit Corona ka pasur këtë fundjavë edhe në shumë vende të tjera evropiane. Në Poloni ka pasur edhe përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Në Britani të Madhe dhe Zvicër ka pasur edhe arrestime. Autoritetet në Varshavë e kanë quajtur protestën në kryeqytetin polak ilegale, sepse organizatorët nuk kanë pasur kurfarë leje për mbajtje. Në Hyde Park të Londrës janë arrestuar shumë persona me shpjegimin se protestuesit nuk i kanë mbajtur rregullat e distancës. Në Britani të Madhe kanë protestuar jo vetëm kundër masave të qeverisë por edhe kundër obligimit të vaksinimit, pas gjetjes së një vaksine kundër këtij virusi. Policia ka shpërndarë shumë aksione protestash në Zvicër, sepse atje ndalohet mbledhja e më shumë se pesë personave në një vend. Protesta ka pasur edhe në Madrid të Spanjës por dhe vende të tjera.
Top Channel