SHBA, hetime mbi saktësinë e testeve të shpejta që diagnostikojnë COVID-19

16/05/2020 03:36

Zyrtarët federale të shëndetësisë paralajmëruan mjekët për një problem të mundshëm që lidhet me saktësisë e një testi të shpejtë që diagnostikon COVID-19, i cili është përdorur në mijëra spitale, klinika dhe vende testimi në të gjithë SHBA, përfshirë Shtëpinë e Bardhë.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave njoftoi të enjten vonë në mbrëmje se po heton mbi të dhëna paraprake që sugjerojnë se testi që jep përgjigje brenda 15 minutash i laboratorëve “Abbott”, një kompani shumëkombëshe pajisjesh mjekësore dhe e kujdesit shëndetësor, mund të mos e identifikojë praninë e virusit, duke dhënë një rezultat fals negativ.

Testi po përdoret çdo ditë në Shtëpinë e Bardhë për të diagnostikuar Presidentin Donald Trump dhe anëtarët kryesorë të stafit të tij, përfshirë edhe ata të grupit të punës mbi koronavirus. Paralajmërimi vjen një ditë pasi studiuesit e universitetit të Nju Jorkut raportuan se sipas rezultateve testi “Abbott” mund të humbasë deri në gjysmën e infeksioneve të cilat u u kapën nga një test tjetër i prodhuar nga “Cepheid”, një kompani e diagnostikimit molekular.

Hulumtimi nuk është shqyrtuar nga të tjerë ekspertë apo të jetë publikuar në ndonjë revistë mjekësore, por është bazuar tek provat e kryera tek 100 pacientë. Studiuesit zbuluan se testi i “Abbott”, nuk arriti të identifikojë një të tretën e infeksioneve të cilat u kapën nga testi “Cepheid”, kur shtupat e pambukut ruheshin në një lëng që përdoret për të transportuar mostra laboratorike. Kur mostrat e marra nga pacientët ruheshin të thata, testi humbi 48 për qind të rasteve të identifikuara nga testi “Cepheid”.

Studiuesit i quajtën përfundimet e testit “të papranueshme”, për shkak të rrezikut të nxjerrjes së rezultateve të rremë negative, që potencialisht cojnë në përhapje e infeksionit tek të tjerët.

Ata pranuan se studimi mund të ketë mangësi, përfshirë atë që lidhet me kohën e nevojshme për të transportuar mostrat e pacientëve në pajisjen për përpunim. Laboratori “Abbott” i hodhi poshtë gjetjet, duke thënë se studiuesit e përdorën testin “në një mënyrë që ai nuk ishte parashikuar të përdorej. Kompania publikoi rezultate të tjera të një studimi të pavarur sipas të cilit testi kishin një saktësi prej 90 për qind a më shumë në identifikimin e infeksionit.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave tha nëpërmjet një deklarate se po i rishikon të dhënat me laboratorët “Abbott” dhe se do t’u drejtojë një letër punonjësve të kujdesit shëndetësor duke i tërhequr vëmendjen lidhur me probleme të saktësisë së këtyre testeve./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA