Ekonomia e Gjermanisë është tkurrur me ritmin më të shpejtë që nga kriza financiare globale në tre muajt e parë të vitit me GDP që u reduktua në 2.2 përqind krahasuar me një tre mujor më herët.

Agjencia e statistikave të vendit tha se konsumi i familjeve ra ndjeshëm. Investimet në makineri dhe pajisje ranë ndërsa importet dhe eksportet panë një rënie të fortë krahasuar me tre mujorin e mëparshëm. Të dhënat e rishikuara të GDP tregojnë se ekonomia e vendit është tkurrur lehtë në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, çka do të thotë se ekonomia më e madhe në eurozonë është tashmë zyrtarisht në recesion. Kështu, gjermania i bashkohet Francës dhe Italisë në recesion, por sidoqoftë e ka mbyllur tre mujorin e parë të saj në formë më të mirë se ekonomia e dytë dhe e tretë e Euroozonës.

GDP për tre mujorin e parë në Francë ra me 5.8 për qind dhe me 4.7 për qind ajo në Itali. Për ekspertët, kjo ka ndodhur pasi gjermania nuk implementoi masat strikte të distancimit social deri afër fundit të marsit. Por për ta, e keqja më e madhe pritet të vijë. Ata presin që gdp në gjermani të shënojë rënie me 10 për qind në tre mujorin e dytë. Izolimi atje nisi të zbutej këtë muaj, por gjithçka po bëhet gradualisht dhe rimëkëmbja e Gjermanisë do të shoqërohet nga problemet në vende të tjera të Evropës.
Në anën tjetër, situata nuk është aspak më e mirë edhe në ekonomitë më të mëdha të botës.

Ekonomia në kinë është tkurrur me 6.8 për qind në tre mujorin e parë të këtij viti ndërsa në SHBA më shumë se 36 milionë amerikanë kanë humbur vendin e tyre të punës që nga mesi i marsit. Dhe koronavirusi vazhdon të përhapet, me numrin total të rasteve në vend që i ka kaluar tashmë 1.4 milionë.

Top Channel