Në 24 orët e fundit në Itali janë regjistruar 789 raste të reja koronavirusi 24 orët e shkuara, një rënie e lehtë kjo krahasuar me një ditë më parë kur u raportuan 992 raste.

Të shëruarit ndërkohë kanë arritur në kuotën 120205 me rritjen në një ditë të vetme me plot 4917 të shëruar të tjerë. Totali i viktimave ka shkuar në 31610, nga të cilët 242 vetëm në 24 orët e fundit. Në nivel kombëtar ndërkohë vazhdon të shënojë rënie numri i të shtruarve në terapi intensive.

Në Britaninë e madhe ndërkohë 384 persona të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit. Kjo e çon totalin e viktimave në këtë vend, në 33998. Shifrat tregojnë po ashtu se 133784 teste janë kryer të enjten dhe kjo është hera e katërt që qeveria plotëson objektivin e saj për 100 mijë teste në ditë.

Në anën tjetër, në Spanjë, janë raportuar 24 orët e fundit 138 viktima të tjera për shkak të koronavirusit, duke vijuar tendencën në rënie të bilancit të Covid 19.
Tre vendet e balltikut, estonia, letonia dhe lituania, kanë hequr ndërkohë kufizimet e lëvizjes dhe kanë krijuar një zonë të lëvizjes së lirë mes tyre pasi ecuria e pandemisë duket se po tregon një përmirësim të situatës. Në Suedi, vendin ku nuk u vendosën kufizime të rrepta si në vendet e tjera për të frenuar koronavirusin, kryeministri, Stefan Lofven, tha se lufta kundër virusit në vendin e tij vazhdon.

Nuk është një garë në distancë të shkurtër, por një maratonë – tha ai duke shtuar se pavarësisht qëllimeve të mira të qeverisë së tij, ashtu siç ka ndodhur edhe në vende të tjera, në Suedi, nuk janë mbrojtur siç duhet njerëzit më vulnerabël, të moshuarit. Në gjermani ndërkohë, restorantet do të rihapen pas javësh mbylljeje dhe duhet të ndjekin rregulla strikte higjiene. Edhe vende të tjera të Evropës po hapen ndërsa bota përpiqet të kthehet në rrugën e rimëkëmbjes nga pandemia, pavarësisht frikës për një valë të dytë të pandemisë që deri më tani ka marrë më shumë se 300 mijë jetë njerëzish. Por beteja nuk është fituar ende me virusin që vazhdon të shkaktojë viktima të shumta në SHBA dhe rusi ndërkohë që një raport paralajmëron se një çerek milioni afrikanë rrezikojnë të preken.

Top Channel