Në Komunën e Vushtrrisë janë 9 persona me COVID-19 dhe gjendja shëndetësore e të gjithëve është e mirë.

Në mesin e të infektuarve janë edhe një fëmijë 2 vjeçar dhe dy punëtorë shëndetësorë, njëri i punësuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe një punëtor i spitalit “Sheikh Zayed”.

Sot do të testohen gjithsej 39 persona, të cilët kanë pasur kontakt me personat e konfirmuar pozitiv me COVID-19.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se gjendja për momentin është nën kontroll dhe e menaxhueshme.

“Pas përmbylljes së fazës së parë nëse mund ta quajmë të infeksioneve në qytetin tonë ku kishim 24 të infektuar, prej të cilëve 23 u shëruan. Ditëve të fundit kemi rishfaqjen e virusit prapë në fshatin Studime dhe nga aty pastaj tek tre persona të tjerë jashtë fshatit Studime, të cilët kanë pasur kontakt me pacientin i cili ka qenë në Qendrën e Mjekësisë Familjare. Gjendja e të gjithë pacientëve është e mirë, të gjithë kanë trajtim në shtëpi, ndërkohë që janë bërë dje 40 teste prej të cilave tre kanë rezultuar pozitiv dhe për fat të keq nga këta tre dy janë punëtorë shëndetësorë, njëri është punëtor shëndetësor i shëndetit primar. Pra i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe tjetri është punëtorë shëndetësor i spitalit ‘Sheikh Zayed’”, tha ai.

Në mesin e të infektuarve me COVID-19 është edhe një fëmijë 2 vjeçar, por që sipas Tahirit gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile.

Ai deklaroi se sot do të bëhet testimi i 39 personave që kanë pasur kontakt me personat e konfirmuar pozitiv me koronavirus.

“Në mesin e të infektuarve kemi edhe një fëmijë 2 vjeçar, natyrisht kjo është pjesa e dhimbshme e krejt përballjes me virusin, por gjendja e të gjithë pacientëve paraqitet e mirë dhe lutemi dhe shpresojmë që të shërohen sa më shpejt dhe të mos kenë komplikime të tjera…Sot do t’i kemi 39 teste të reja të kontakteve të këtyre personave për t’u gjurmuar sa më lehtë dhe sa më shpejt përhapjen e virusit dhe për të parandaluar përhapjen e virusit. Shtabi Emergjent komunal, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, bashkë me IKSHPK, që nga momenti i parë janë vu në lëvizje të plotë për të gjurmuar kontaktet e këtyre pacientëve në mënyrë që pastaj të parandalohet përhapja e tyre. Janë gjurmuar të gjitha kontaktet e tyre, po bëhet testi dhe ne presim që edhe kjo situatë të kalojë ashtu siç kemi kaluar fazën e parë me një bashkëpunim të shkëlqyer të të gjithë akterëve lokal, por edhe me një bashkëpunim tepër të mirë të qytetarëve dhe të bizneset”, tha ai.

Duke qenë se rasti i parë me COVID-19 është nga fshati Studime e Epërme dhe janë gjurmuar të gjitha kontaktet, Tahiri tha se nuk shohin arsye që ky fshat të futet në karantinë. Megjithatë, ai tha se po zbatojnë me përpikëri të gjitha masat që janë në fuqi.

Kryetari Tahiri deklaroi se do të ketë dënime për të gjithë ata që nuk respektojnë këto masa.

“Neve vetëm po zbatojmë masat rigoroze që janë, natyrisht që do të ketë shtrëngim të masave edhe zbatueshmëri më të madhe dhe do të ketë edhe dënime për ata që nuk respektojnë masat qofshin biznese, qofshin qytetarë. Nuk do të kemi asnjë tolerim për askënd që nuk i zbaton masat mbrojtëse dhe presim që në fakt të vazhdojmë me një bashkëpunim tepër të mirë që e kemi pasur me qytetarët dhe me bizneset në mënyrë që t’ia dalim faqebardhë edhe kësaj radhe. Unë nuk kam asnjë dyshim se ne si qytet do t’ia dalim edhe kësaj radhe, ashtu siç ia dolëm herën e parë, tani e kemi përvojën dhe besoj që do t’ia dalim me shumë sukses edhe me këtë valë të infeksionit”, tha ai.

Si Komunë, Tahiri tha se iu kanë dal në ndihmë familjeve në nevojë. Ai tha se përveç familjeve që janë në asistencë, kanë ndihmuar edhe 1 mijë e 500 familje të tjera që janë goditur ekonomikisht.

Storie suksesi sipas Tahirit për Komunën e Vushtrrisë është mësimi online, ku tha se pjesëmarrja e nxënësve në mësim është 95 përqind. Ai potencoi se do t’iu dhurojnë pajisje edhe 236 fëmijëve që nuk kanë pasur mundësi të ndjekin mësimin.

“Vetëm familjeve që nuk janë në asistencë sociale, por që janë goditur ekonomikisht në këtë periudhë i jemi dal në ndihmë mbi 1 mijë e 500 familjeve përmes donatorëve të ndryshëm. Po ashtu, të gjitha familjeve në asistencë sociale jemi duke iu dal në ndihmë me pako ushqimore dhe pako higjienike. Një storie tjetër e suksesshme në këtë periudhë është pa dyshim organizimi i mësimit online nëpër shkollat tona, niveli i pjesëmarrjes në mësimin online është 94.5 përqind ose 95 përqind. Ne kemi identifikuar 236 fëmijë të cilët nuk kanë mundur ta ndjekin mësimin online për shkak se nuk kanë pasur një telefon të mençur ose nuk kanë pasur një laptop dhe përmes donatorëve deri sot kemi siguruar gjysmën e laptopëve për këta fëmijë, pra kemi siguruar afër 130 dhe presim që brenda kësaj jave ndoshta ta përmbushim numrin e laptopëve për këta fëmijë”, tha ai.

Kreu i Vushtrrisë Xhafer Tahiri u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancën fizike dhe të mbahen dorëzat e maskat.

Para shfaqjes së rasteve të reja me COVID-19, në Vushtrri kanë qenë 24 persona me COVID-19, ku 23 janë shëruar, ndërsa një person ka vdekur.

Në gjithë vendin janë 919 raste me COVID-19, 671 të shëruar dhe 29 persona kanë vdekur.

Top Channel