Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirusin e ri (COVID-19) në Rusi arriti në gjithsej 242.271, pasi 10.028 të infektuar të rinj u raportuan sot.

Numri i viktimave u rrit në 2.212 pasi 96 njerëz vdiqën gjatë 24 orëve të fundit, thuhet në raportin ditor të autoriteteve shëndetësore ruse. Sipas raportit, janë regjistruar gjithsej 48.003 të shëruar, përfshirë 4.491 të shëruar në 24 orët e fundit, ndërsa rreth 259 mijë persona mbeten nën mbikëqyrjen mjekësore si të dyshuar se mund të jenë infektuar.

Përkundër masave të rrepta, të cilat përfshijnë bllokim të kryeqytetit Moskë, ndalimin e hyrjes së të huajve dhe pezullimin e trafikut ndërkombëtar ajror dhe hekurudhor, Rusia ka regjistruar numrin e dytë më të lartë të rasteve në botë. Vendi regjistroi më shumë se 10 mijë raste në ditë për të dytën javë me radhë. Megjithatë, në përqindje, rritja e numrit të rasteve po ngadalësohet.

Gjithashtu, Rusia konfirmoi numrin më të ulët të vdekjeve për 100 mijë njerëz në krahasim me fqinjët e saj. Për shkak të COVID-19, brenda dy javësh u shtruan në spital pesë zyrtarë të lartë rusë, duke përfshirë kryeministrin Mikhail Mishustin dhe zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov.

Rusia së fundmi ka shtuar testimet në një përpjekje për të diagnostikuar pacientët në një fazë të hershme dhe deri më tani ka kryer më shumë se 5.9 milion teste. Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.

Sipas shifrave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA, numri i të infektuarve me COVID-19 ka tejkaluar shifrën 4.26 milionë, me pothuajse 292 mijë të vdekur dhe mbi 1.5 milionë të shëruar.

Top Channel