Brazili shënon numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi brenda një dite

13/05/2020 13:15

Brazili regjistroi numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi brenda një dite, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 881 njerëz humbën jetën të martën, duke e çuar në 12,400 numrin e përgjithshëm të viktimave në këtë vend. Me këtë shifër, Brazili, i cili është epiqendër e shpërthimit të koronavirusit në Amerikën Latine, është tani vendi i gjashtë më i goditur sa i përket numrit të viktimave.

Ekspertët thonë se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë, për shkak të mungesës së testimeve.

“Brazili teston vetëm njerëz që përfundojnë në spital”, tha Domingo Alves, nga Universiteti i Sao Paulos, për agjencinë e lajmeve AFP.

Numri i të infektuarve në Brazil është mbi 177,000.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, vazhdimisht ka minimizuar kërcënimin nga koronavirusi dhe ka kritikuar guvernatorët dhe kryetarët e bashkive për miratimin e masave të rrepta kufizuese, për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Top Channel