Angela Merkel thotë se ka prova se është sulmuar nga hakerat rusë

13/05/2020 16:59

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka cituar sot prova të forta se ka qenë objekt i sulmeve kibernetike ruse.

E përditshmja gjermane Der Spiegel raportonte raportonte javën e shkuar se shërbimi rus i inteligjencës ushtarake GRU kishte shtënë në dorë disa nga email-et e zyrës elektorale të kancelares në 2015. Moska ka mohuar akuzat për sulme kibernetike.

Ndërkohë Merkel thotë se po përpiqet të përmirësojë lidhjet me Rusinë, por shtoi se sulmi i fundit nuk i ndihmonte përpjekjet.

“Ne do të përpiqemi për marrdhënie të mira me Rusinë sepse ka shumë arsye të vazhdojmë përpjekjet diplomatike, por kjo nuk e bën më të lehtë”, tha Merkel në dhomën e ulët të parlamentit kur u pyet për sulmin kibernetik.

Më 5 maj Gjermania ka lëshuar një mandat arresti për një oficer të dyshuar të inteligjencës ruse që ka kryer sulmet e vitit 2015, raporton Süddeutsche Zeitung.

29-vjeçari Dmitry Badin, është gjithashtu një nga 12 oficerët rusë të kërkuar në SHBA të dyshuar për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të atjeshme.

Top Channel