Mendonit se kanceri është vrasësi kryesor te femrat? JO!!!
Sëmundjet e zemrës janë shkaktari numër 1 për nga vdekshmëria.
Edhe pse ky është fakt, pjesa më e madhe e vëmendjes, kur bëhet fjalë për sëmundjet e zemrës, është fokusuar te meshkujt.
Për këtë, më poshtë po ju listojmë disa fakte & statistika shqetësuese mbi sëmundjet e zemrës te femrat:
Sëmundja e zemrës shkakton 1 në 3 vdekje çdo vit, normë kjo disa herë më e lartë sesa vdekshmëria nga kanceri
90 % e femrave janë të prekura nga një ose më shumë faktorë rreziku që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës
Vlerësohet se që prej vitit 1984, vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës është më e lartë te femrat sesa te meshkujt dhe hendeku i mbijetesës midis dy gjinive vazhdon të thellohet.
Simptomat e sëmundjeve të zemrës ndryshojnë nga femrat te meshkujt dhe shpesh nuk kuptohen.
Për këto arsye, është shumë e rëndësishme të njiheni me simptomat e këtyre sëmundjeve dhe mënyrat për t‘i parandaluar ato.
Ҫfarë duhet të dini rreth shkaqeve që çojnë në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës:
Shkak për sëmundjet e zemrës mund të jetë ekzistenca e sëmundjeve të tjera:
Sindroma e Ovareve Polikistike (PCOS) – Ekziston një marrëdhënie e njohur midis PCOS dhe sëmundjeve të zemrës, pasi gratë me PCOS kanë nivele më të larta të kalçiumit në arteriet e zemrës, gjë që rrit rrezikun e atakut në zemër.
Sëmundjet sistemike reumatologjike – Sëmundje të tilla si; lupusi eritematoz sistemik (SLE) dhe artriti reumatoid janë më të shpeshta te femrat krahasuar me meshkujt. Gratë e prekura nga këto sëmundje paraqesin një rrezik 50 përqind më të lartë për t’u prekur edhe nga sëmundje të zemrës në raport me pjesën tjetër të grave jo të prekura. Gjithashtu, përdorimi i kortikosteroideve, si një trajtim për reumatizmën, rrit incidencën e inflamacionit në muret e enëve të gjakut.
Depresioni dhe Migrena – Të dyja këto sëmundje janë më të përhapura te femrat dhe shoqërohen edhe me rritjen e rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës. Depresioni në stad mesatar deri në të rëndë, gjatë dy viteve të ardhshme, dyfishon rrezikun e sulmit në zemër. Migrena, sidomos me aura (simptomat që vëreni pak para fillimit të dhimbjes së kokës), shoqërohet me rritjen e kolesterolit, çrregullime gjumi dhe atak në zemër.
Sëmundjet e zemrës te femrat hasen më shpesh në forma të tilla si:
Ateroskleroza – e cila ndodh kur në arterie krijohen pllaka, që më pas ngushtojnë arteriet, duke e bërë më të vështirë rrjedhjen e gjakut. Për pasojë, formohet një mpiksje gjaku, e cila fillimisht mund të ndalë rrjedhjen e gjakut duke u bërë më tej shkak i atakut në zemër apo goditjes në tru.
Insufiçenca kardiake– ndodh kur zemra është ende duke punuar, por nuk arrin të:
Pompoja gjakun ashtu siç duhet
Marrë oksigjen të mjaftueshëm
Aritmia – që do të thotë që zemra rreh shumë shpejt, shumë ngadalë ose jo në mënyrë ritmike. Kjo mund të ndikojë në:
Mirëfunksionimin ose jo të zemrës
Aftësinë e zemrës për të pompuar gjak mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e organizmit
Problemet e valvulave të zemrës – funksioni normal i valvulave lejon rrjedhën e gjakut në rrugën e duhur, me një shpejtësi të caktuar dhe në kohën e duhur. Ndryshimet patologjike të cilat prekin valvulat, ndikojnë në keqfunksionimin e tyre, duke i ngushtuar dhe fortësuar ato, pra, në këtë mënyrë ato nuk mund të hapen dhe mbyllen plotësisht. Ky funksionim jo i rregullt i tyre ndikon në rrjedhën e gjakut (kthim apo ngadalësimin) dhe mund të ndikojë në muskulin e zemrës duke shkaktuar dobësim të tij.
A e dini se simptomat e atakut në zemër te femrat janë të ndryshme nga simptomat te meshkujt?
Njihuni me to:
Dhimbje në qafë, nofull, krahë ose pjesën e sipërme të shpinës
Shtypje dhe dhimbje në kraharor
Lodhje e pashpjegueshme
Marramendje, nauzea apo të vjella
Djersë të ftohta
Vështirësi në frymëmarrje
Ndjesi ankthi
Si mund t‘i parandalojmë sëmundjet e zemrës?
Faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës janë të shumtë, disa të kontrollueshëm e disa jo, por me informimin dhe kujdesin e duhur, sëmundjet e zemrës te femrat mund të trajtohen, parandalohen madje edhe kurohen.
Zgjedhjet e duhura mbi shëndetin kanë rezultuar në ulje të vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës.
Mjafton të aplikoni disa ndryshime në stilin tuaj të jetesës (faktorë të kontrollueshëm nga vetë ne) dhe përkatësisht:
Mos pini duhan
Kontrolloni sheqerin në gjak
Mbani nën kontroll presionin e gjakut
Mbani kolesterolin brenda normave
Njihuni me historikun e familjes mbi të tilla sëmundje
Qëndroni aktivë
Përpiquni të ruani një peshë optimale
Ushqehuni shëndetshëm
Si përfundim, ajo që ju rekomandojmë gjithmonë për një jetë të shëndetshmë është të kryeni kontrolle rutinë të zemrës, të paktën 1 herë në vit, sepse parandalimi është kura më e mirë.
Top Channel