Rreziqet e rihapjes/ Nga vendet e Azisë dhe Gjermania vijnë sinjale negative

12/05/2020 01:04

Nuk merr fund deri sa të mbarojë. Kështu tha presidenti koreano-jugor, Moon Jae In, të dielën, pasi një vatër e re rastesh koronavirusi u shfaq në kryeqytetin Seul duke ndezur frikën e një vale të dytë infektimesh në vendin e Azisë Lindore.

Koreja e Jugut ishte mes vendeve të para në botë që u përball me një epidemi të madhe të koronavirusit dhe ka filluar tani zbutjen e kufizimeve pas javësh masa të distancimit social dhe mbikqyrjeje të kujdesshme. Por, vatra e re duket se i ka dhënë fund për momentin kësaj rrjedhe dhe presidenti ka paralajmëruar vendin se nuk duhet të ulet vigjilenca për sa i takon parandalimit të epidemive.

Kina po ashtu po rikthen kufizimet pasi dy qytete të saj raportuan raste të reja të virusit. Por edhe në Evropë, Gjermania, që është parë si shembull se si duhet menaxhuar një epidemi, thotë se shkalla e infektimeve është rritur në më shumë se një për dy ditët e shkuara radhazi. Kjo do të thotë se një person i infektuar mund të infektojë mesatarisht më shumë se një person. E kjo ndodh ndërkohë që vendi ka filluar zbutjen e kufizimeve.

Edhe OBSH ka tërhequr vëmendjen. “Në fundjavë pamë shenjat e sfidave me të cilat mund të përballemi me fundin e masave të izolimit- thonë zyrtarët e saj. Vëzhguesit drejtojnë gishtin nga Singapori, që në fillim të prillit kishte më pak se 2 mijë raste të konfirmuara ndërsa tani ka më shumë se 23 mijë. Ky rast sipas tyre dëshmon rrezikun e mundshëm të hapjes së nxituar dhe bindjes se beteja është fituar në një kohë kur është vetëm fillimi.

Pra nuk merr fund deri sa të mbarojë. Dhe një ditë, do të mbarojë. Ajo që eksperienca nga azia po tregon, është se do të duhet të vijohet përpara me vigjilencë dhe me shumë, shumë durim.

Top Channel