Ministria në detyrë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, ka njoftuar se Provimi i Maturës Shtetërore 2020, do të mbahet në javën e parë të muajit korrik, ndonëse data nuk është caktuar ende.

Kjo ministri ka njoftuar përmes një komunikate se provimi do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët. Zyrtarë të kësaj ministrie kanë njoftuar se për zhvillimin e këtij procesi janë konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Ky Institut ka rekomanduar që provimi i maturës të organizohet në atë mënyrë që të ketë numër sa më të vogël të maturantëve brenda një qendre të testimit dhe brenda klasave të testimit, si dhe të zbatohen të gjitha masat për luftim të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

“Komisioni Shtetëror i Maturës (KSHM) i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka vendosur që testi do të ketë gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta. Në test do përfshihen tri lëndë obligative (gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë) dhe një lëndë zgjedhore (që përzgjidhet nga vet nxënësi nga mesi i lëndëve zgjedhore që do të ofrohen)”, është thënë në komunikatë.

Duke patur parasysh të dhënat më të fundit, autoritetet shëndetësore në Kosovë raportojnë 895 raste me koronavirus. Prej tyre 657 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë humbur jetën. Të martën është regjistruar viktima më e fundit e koronavirusit në vend, një 63 vjeçare nga rahoveci. Ajo ishte shtruar në klinikën infektive më 3 maj, në gjendje të rëndë, paraprakisht e konfirmuar me Covid 19 dhe me disa sëmundje të tjera shoqëruese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA