Rusia ka tani numrin e dytë më të lartë të rasteve të koronavirusit pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës e madje edhe vetë zëdhënësi i Putin, Dimitry peskov, ka rezultuar pozitiv dhe po trajtohet në spital.

Ka qenë vetë Peskov ai që ka konfirmuar lajmin. “Po, jam sëmurë. Jam duke u trajtuar”, është cituar të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit më 12 maj. Peskov është i fundit zyrtar i lartë që infektohet me këtë virus në Rusi, i cili ka prekur edhe kryeministrin rus, Mikhail Mishustin, ministren e Kulturës, Olga Lyubimova dhe ministrin e Infrastrukturës, Vladimir Yakushev.

Ky njoftim ka ardhur një ditë pasi Putin tha se Rusia është treguar e suksesshme në uljen e shkallës së infektimit me koronavirus, ndaj edhe ka bërë të ditura disa lehtësime të kufizimeve, të cilat janë marrë me qëllim të luftimit të kësaj sëmundjeje. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkis, Rusia të martën është kthyer në shtetin e dytë në botë më të prekur nga Covid-19, pasi ka regjistruar mbi 230,000 persona të sëmurë.

Vetëm 24 orët e fundit, u regjistruan 10,899 raste të reja me koronavirus, të cilat e çojnë në mbi 232,000 numrin e përgjithshëm të tyre. Pas SHBA dhe Rusisë, për sa i takon numrit të të infektuarve, renditen Spanja, Mbretëria e bashkuar dhe Italia. Numri i viktimave në rusi është aktualisht 2116. Ndërkohë, një zjarr i lidhur me një qark të shkurtër në një ventilator, i mori jetën në Shën Pjetërburg pesë pacientëve që po kuroheshin për Covid 19.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA