Pas rasteve të reja, te cilat rikthyen frikën e koronavirusit në Kinën që mendoi se kishte shpëtuar prej saj, Wuhani mësohet se po planifikon testimin e të 11 milionë banorëve të tij.
Sipas autoriteteve vendore, plani është ende në fazat fillestare dhe të gjitha qarqeve u janë kërkuar detaje se si mund ta realizojnë testimin brenda dhjetë ditësh. Të hënën, Kina regjistroi 17 raste të reja të sëmundjes. Wuhani ka pasur 6 të tilla që prej fundjavës, përfshirë atë të një 89 vjecari asimptomatik.
Qyteti që ka qenë në izolim të plotë për 11 javë, nuk kishte raportuar raste të reja që nga 3 prill dhe në 8 prill atje nisi hapja. Kina ka raportuar gjithsej 82.901 raste të të infektuarve dhe 4,633 vdekje nga koronavirusi në të gjithë popullsinë e saj. Sot, autoritetet kinezë deklaruan se është shënuar vetëm një infektim i ri.
Disa ditë më parë, Kina e përballur me akuza të shumta për menaxhimin e krizës, deklaroi se ka ndërmend të reformojë sistemin për parandalimin e sëmundjeve me qëllimin të përmirësohen pikat e dobëta që nxori në pah përhapja e koronavirusit të ri.
Top Channel