Një grua që ishte pjesë e një marrëdhënieje kontrolluese tha se i dashuri e kishte detyruar kundër dëshirës së saj të bënte tatuazh në krah emrin e tij.

Alisa Thomas, 29 vjeçe, u njoh fillimisht me Martin Mitchell në punën e saj dy vjet më parë dhe nisën të dilnin bashkë.

Por në fillim të këtij muaji ai u dënua nga një gjykatë në Britani për sjelljen e tij kontrolluese.

Fillimisht Alisa thotë se Martin ishte “shumë i sjellshëm, i ngrohtë”, dhe i bënte komplimente.

Më pas, nëna e dy fëmijëve nga Uellsi në Britani, nisi të jetojë me Mitchell por shpejt u bë e qartë se ai nuk mund të kontrollonte emocionet e tij, veçanërisht zemërimin.

Duke kujtuar herën e parë që ai humbi kontrollin, punonjësja e postës thotë: “Ishte tmerruese. Vetëm dy javë pasi nisa të jetoj me të, e pashë për herë të parë.

Alisa thotë se ish-i dashuri i saj kishte ardhur për të dalë me djalin e tyre dhe ajo e shoqëroi jashtë.
Kur u kthye brenda në shtëpi Mitchell “e humbi fare”, duke e akuzuar se po flirtonte me ish-të dashurin, dhe duke e ofenduar me emra si “rrugaçe” e “kurvë”.

Gruaja thotë: “Kjo ishte hera e parë që e pashë. Por tashmë që ndodhi, sjellja nisi të përkeqësohet, deri në pikën sa nuk më lejohej të mos isha në fushën e tij të shikimit”.

Pas një seri incidentesh, Mitchell u dënua nga gjykata e Cardiff për sjellje kontrolluese.

Duke folur pas dënimit Alisa tha: “Ai më ka tmerruar.”
Ajo shton se Mitchell i kishte caktuar një komplet rregullash për të ndjekur, siç ishte ndalimi i përmendjes së ish-të dashurit dhe përmendja e një ‘emri sharës’ në vend të tij.

Mitchell gjithashtu kontrollonte mesazhet e saj dhe i tregonte vazhdimisht se çfarë mund të bënte dhe çfarë jo.

Ai nisi të kontrollonte dhe paraqitjen e saj dhe e nxiste të vendoste buzëkuq, edhe pse ajo nuk mbante shumë makiazh.
Mitchell e detyroi të flakte rrobat që ajo kishte para se të vendosej me të në shtëpi, duke përfshirë dhe këpucët e të brendshmet.
Kur ata ishin me pushime në Gran Canaria në shtator 2018, Mitchell vendosi që Alisa të bënte tatuazh në krah emrin e tij.
Por gruaja i tha se nuk i pëlqente tatuazhet. “Une e kisha një tatuazh të vogël dhe isha penduar për të. Por atij nuk mund t’i thoje ‘jo’. E donte tatuazhin në të gjithë krahun që ta shikonin të gjithë”.

Rrjedhimisht edhe artisti i tatuazhit refuzoi ta bënte emrin aq të madh dhe i bëri një version më të vogël pranë kyçit. Kur emri i Mitchell ishte skalitur në lëkurë, ai tha: “Tani të gjithë do ta dinë që je e imja.”

Alisa thotë se tre javë më vonë Mitchell i kërkoi edhe një tatuazh në qafë, që emri i tij të shihej nga më shumë njerëz.

“Ai më tregonte se kujt mund t’i flisja e kujt jo. Nuk e dija më cila isha. Isha e mjeruar. Nuk merrja dot asnjë vendim. Për çdo gjë shqetësohesha se mos e nevrikosja. Nga fundi nisa të dëshiroja të vdisja”.

Pas një argumenti dhe përplasjeje fizike në gusht, fqinjët thirrën policinë dhe Mitchell u arrestua.

Çështja u çua në gjykatën e Cardiff dhe Alisa e dëshmitarë të tjerë morën pjesë.

Mitchell ka pranuar tashmë akuzën e sjelljes kontrolluese dhe u dënua me 18 muaj burg të pezulluar, dhe 10 ditë aktivitet rehabilitimi me fokus në simpatinë ndaj viktimave. Atij iu dha një urdhër tre vjeçar distancimi nga ish-partnerja dhe një periudhe 10-mujore shërbimi komunitar.

Tashmë tatuazhin me emrin e Mitchell ajo e ka mbuluar me një dizajn lulesh bardhë e zi.

Alisa falenderon sistemin gjyqësor për trajtimin e shpejtë të çështjes: “Duhet të falenderoj sistemin e drejtësisë. Shpresoj që rasti im t’i japë guxim personave të tjerë të mos pranojnë këtë lloj abuzimi”.

FOTO GALERI
3/5
Mitchell u dënua nga gjykata e Cardiff për sjellje kontrolluese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA