Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklarimeve të shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrel për mundësinë e lejimit të shkëmbimit të territoreve si pjesë e një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Ai në një postim në Twitter ka shkruar se pasaktësia dhe qëndrimi tendencioz i shefit të diplomacisë evropiane lidhur me idenë e ndryshimit të kufijve është e dëmshme për paqen dhe rajonin.
“Heshtja dhe toleranca e kryeqyteteve të BE-së për fleksibilitetin e idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkan nga Borrell çon në konfuzion dhe pasiguri. Kurrë nuk do të ketë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa një kornizë parimore”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell ka thënë në një intervistë me gazetarë të mediave nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, se BE e përkrah një gjë të tillë nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për një gjë të tillë.
Top Channel