Kreu i Deloitte në Top Talk: Të përgatitemi për mbijetesë. Pas Covid 19 traumë e fortë në ekonomi

08/05/2020 17:45

Ditën e sotme në emisionin Top Talk në Top Channel ka qenë i ftuar Maksim Caslli, drejtori i Deloitte për Shqipërinë dhe Kosovën

Denis Dyrnjaja: Ka shumë opinione edhe debate natyrisht në lidhje se si qeveria i është qasur krizës së koronavirusit në aspektin ekonomik dhe financiar. Duke qenë në krye të një institucioni të pavarur si Deloitte do të doja një konstatim tuajin në ç’pikë jemi sot kur flasim dhe çfarë na pret në këto kushte.

Maksim Caslli: Jemi në një pikë shumë të vështirë, sepse nuk dihet se çfarë do të ndodhi, e nesërmja.

Ky është një fenomen që është në të gjithë botën, të gjitha qeveritë janë në dilemë se çfarë do të ndodhi dhe të gjitha kanë zbërthyer qesen e parave dhe po i japin sa më shumë ekonomisë në mënyrë që mos ta lejnë këtë krizë të shkojë në pikë shumë të thellë.

Ekonomia nuk është diçka që hapet dhe mbyllet me çelës, nëse mbyllet është shumë e vështirë që ta kthesh prapë në të njëjtën formë.

Njerëzit janë ata që konsumojnë lekët dhe e bëjnë këtë motor të funksionojë, nëse kjo bllokohet është shumë e vështirë që të vendoset prap në punë.

Ne do kemi vështirësi të mëdha çfarë do që të bëjë qeveria sepse është ekonomia që ne kemi ngritur edhe përpara Koronavirusit nuk kishim ekonomi të shëndetshme dhe kur ka kriza botërore ato vende që janë më të shëndetshme dalin më shpejt.

Denis Dyrnjaja: Qeveria flet për një seri paketash financiare në ndihmë të njerëzve që kanë humbur vendet e punës në këtë periudhë dhe një paketë tjetër financiare për biznesin ku përfshihet kjo pjesa për turizmin. Në këndvështrimin tuaj këto paketa, besoj ju jeni njohur me to, e përballojnë këtë krizë dhe në çmasë mund ta përballojnë?

Maksim Caslli: Qeveria është në një rol shumë të vështirë sepse nuk e di se çfarë do të ndodhi dhe nuk e di se çfarë do të bëjë. Qeveria duhet të shikojë afatgjatë, jo se çfarë do të ndodhi në dy javët e ardhshëm, por çfarë do të ndodhi në 18 muajt e ardhshëm.

Denis Dyrnjaja: Po përgatitemi për kushtet e mbijetesës njerëzore, këtë po thoni?

Maksim Caslli: Patjetër, edhe ne si shoqëri, por edhe qeveria duhet të përgatitet për skenarin më të keq, kështu funksionon e gjithë bota. Duhet të përgatitesh për skenarin e keq, nuk do të thotë që ky skenar do të vijë, por ti duhet të përgatitesh për të.

 

Top Channel