COVID-19/ Kreu i transportit interurban paralajmëron rritje të çmimit të shërbimit

07/05/2020 14:47

Në emisionin “Shqipëria Live”, ishte i ftuar kryetari i Transportit Kombëtar Interurban Kujtim Mema.

Gjatë fjalës së tij, Mema paralajmëroi se ky sektor është më i prekuri nga kjo pandemi. Ai thotë se ndihen të detyruar për të rritur çmimin e shërbimit, sepse nëse punojnë me gjysmë kapaciteti, e kanë të vështirë për të mbijetuar.

Mema u shpreh falenderues për vendimin e marrë nga DPSHTRR (Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor), për heqjen e taksave të këtyre muajve. Një gjë të tillë ai kërkon të ndjekë edhe kompanitë e sigurimeve.

Çmimi i naftës është shumë i lartë, thotë Mema, dhe kjo është një nga arsyet se përse ato kërkojnë dhe të rrisin koston e shërbimit të tyre. Ndaj ai sugjeron që shteti t’ia mundësojë edhe këtij shërbimi naftën me gjysmë çmimi, një praktikë që ndiqet edhe në sektorin e bujqësisë dhe peshkimit.

Po ashtu, Mema, thotë se çmimi i transportit ndërqytetas është i njëjti me atë të vitit 1998 dhe që nga ajo kohë e deri më tani, nuk ka pasur ndryshime. Ndërsa vendet e tjera të rajonit, sipas Memës, këtë shërbim e ofrojnë me kosto shumë më të lartë se e jona.

“Ky nuk është një propozim që do të zbatojmë 100 %, por në varësi të gjendjes. Një biletë e tillë me kapacitet gjysmë nuk mund të shkohet në një linjë. Është një situatë e tillë, ne e e kmi të vështirë për të përballuar me kapacitet gjysmë dhe me çmimin e njëjtë, ndaj do ta bëjmë këtë shtim. Ky çmim është që në 98-tën. Tiranë-Vlorë është 5 mijë lekë të vjetra. Që nga ajo kohë e deri më tani nafta është rritur. Që më datën 9 mars dhe deri më sot nuk kemi punuar. Ne do të hapemi në 1 qershor. Vështirësia është e madhe për ne, për të vijuar një linjë të tillë me aq kapacitet. Një kapacitet i tillë, do të jetë i mundshëm vetëm për naftë dhe pagën e  shoferit. DPSHTRR na fali taksat. Kompania e sigurimeve duhet të japë ndihmesën e vet për këto muaj. Shteti mund të na japi naftën me një çmim të ulët si, peshkimit dhe bujqësisë. Ky qe një mendim i joni për të treguar ne propozimet tona dhe vështerësitë që ne kemi. Ndryshe nga urbani, shërbimi ndërqytetas ka një mënyrë pune ndryshe. Një person ka mjetin e vet dhe me ate ushqehet. Ne jemi më në vështirësi nga të gjithë të tjerat. Ne ndryshe nga urbani na ka mposhtur dhe informaliteti. Ne kemi 20 vite që e themi këtë informalitetin. Ne duhem ndihmën e shtetit, nuk e dimë sa do të zgjasi. Transporti ndërqytetas ka vështirësitë e saj, vera është para dhe transporti ndërqytetas është më i ulët në verë. Puna e shërbimit ndërqytetas në shtator i rikthehet normalitetit. Megjithatë ne duke pasur muajt e tjerë të vitit, korrikun e gushtin, e përballojmë. Nuk e dimë si do ta përballojmë, por jemi pranë faktit. Ne kemi qenë shumë të mirë që kemi mbijetuar me këtë çmim akoma. Vendet e Ballkanit kanë kosto shumë herë më të lartë”, u shpreh Mema.

Top Channel