Menjëherë pas shpalljes publike të kandidatit të parë për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës, rektori aktual Mynyr Koni ka shkarkuar nga detyra si pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, departamenti i Filozofisë, kryetaren e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve, Majlinda Ketën.

Zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës me Universitetin e Tiranës, rektori ua ka dërguar edhe anëtarëve të Komisionit Zgjedhor. Mes tyre është edhe zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Bernard Dosti që shkarkohet nga detyra si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë. Arsyet e këtij vendimi, sipas Mynyr Konit lidhen me shkeljet flagrante të ligjit dhe mosrealizimit të urdhërave të tij përgjatë periudhë së pandemisë, Covid-19 që ka kryer KIZ-i.

Veprimet në kundërshtim të rregullores për organizimin e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, kanë qenë në mënyrë të përsëritur shpjegon Koni, ku Komisioni Institucional i Zgjedhjeve ka përgatitur, firmosur dhe dërguar me e-mail dokumenta të jashtëligjshëm. Mynyr Koni rendit urdhërat që nuk janë zbatuar nga KIZ-I, duke nënvizuar se personeli akademik nuk ka realizuar detyrat, përgjegjësitë që kanë patur duke shkaktuar pasoja të rënda për Universitetin e Tiranës.

Kryetarja e Komisionit Zgjedhor, Majlinda Keta e quan aktin e Konit të pavlefshëm pasi nuk mund të shkarkojë një institucion të pavarur, si dhe i vë në dukje se sipas Ligjit të Arsimit të Lartë zgjidhja e menjëhershme e kontratës së punës nuk është kompetencë e rektorit, por e Senatit Akademik sipas një procedure të caktuar.

“Me këtë akt të paprecedentë, rektori Koni i ka bërë një dëm të rëndë arsimit të lartë dhe imazhit të tij. Ky veprim jo vetëm është i dënueshëm administrativisht, por përbën në mënyrë flagrante shpërdorim detyre të funksionit publik”, ka reaguar Majlinda Keta.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA