Eriksen: Nuk jam penduar që zgjodha Interin, po punoj shumë për t’u ambientuar

06/05/2020 06:44

Një nga transferimet më të bujshme të merkatos së janarit ishte padyshim ai i danezit Christian Eriksen, që la Tottenhamin për t’iu bashkuar Interit në Serinë A, por fillimi në kampionatin italian nuk ishte aspak në nivelin e pritshmërive për fantazistin.

Në një intervistë të dhënë për mediat daneze, Eriksen ka pranuar se kjo është koha më e vështirë që ka kaluar, ndërsa ka treguar se prej dy muajsh nuk e prek topin me këmbë, por bën vetëm vrap. “Është një moment i vështirë për futbollin dhe për jetën në përgjithësi, ndaj shpresoj të kalojë sa më shpejt. Kam bërë vrap vazhdimisht, por më mungon topi, të cilin nuk e prek prej shumë ditësh”, tregoi futbollisti.

Eriksen u shpreh i bindur se ka bërë zgjidhjen e duhur që firmosi me Interin, ndërsa shtoi se vështirësitë e fillimit i kishte parashikuar, kjo për shkak se po përballej me një gjuhë, kulturë dhe mënyrë të re të të luajturit. “Te Interi treguan më shumë dëshirë për të më marrë dhe nuk jam penduar aspak që zgjodha të transferohem te zikaltrit. Po përballem me një gjuhë të re, kulturë të re dhe mënyrë të re të të parit të futbollit, ndaj vështirësitë e fillimit i kisha parashikuar, por bashkë me trajnerin Conte, po punojmë shumë për t’u ambientuar sa më shpejt”, deklaroi Eriksen.

Një pjesë të mirë të kohës së karantinës Eriksen e kaloi në qendrën sportive të klubit, ku punoi fort me disa anëtarë të stafit, ndërsa në intervistë shpjegon edhe arsyet pse vendosi të qëndrojë aty. “E mendova të flas me Lukakun dhe Young, që të rri në shtëpinë e tyre për disa ditë, por më pas vendosa të shkoj në qendrën sportive të klubit, pasi do të ishte e vështirë të rrije si mysafir për shumë ditë”, tregon danezi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA