SHBA dërgon për herë të parë që prej Luftës së Ftohtë, katër luftanije në detin Barents

05/05/2020 17:23

Katër luftanije amerikane kanë hyrë dje në detin Barents pranë Rusisë për herë të parë që prej Luftës së Ftohtë, për të kryer “operacione detare sigurie”.

Marina amerikane konfirmoi se tre fregata sulmuese dhe një anije mbështetëse u bashkuan me luftanijen britanike HMS Kent, duke shtuar se SHBA nuk vepronte në detin Barents që prej mesit të viteve 1980-të.

Ministria ruse e mbrojtjes ishte njoftuar që prej 1 majit për të evituar keqkuptimet dhe reduktuar risqet, konfirmoi marina.

Flota Veriore e Rusisë është duke monitoruar grupin, tha minsitria ruse e mbrojtjes, sipas agjencisë Interfax.

Vendimi i SHBA-Britani për të nisur veprimet në detin Barents vjen pasi Rusia ka nisur një fushatë akumulimi ushtarak në zonën e Arktikut, të cilën e konsideron një rajon vital strategjik prej rezervave të hidrokarbureve, për rrugën e transportit në detin e Veriut, si dhe me rëndësi gjeopolitike.

“Në këto kohë sfiduese është e rëndësishme që të ruajmë ritmin e operacioneve në të gjithë teatrin evropian, duke marrë masa për mbrojtjen e forcës sonë”, tha komandantja e flotës së 6 të SHBA, Lisa Franchetti.

SHBA ka dislokuar atje anijet USS Donald Cook, USS Porter, USS Roosevelt dhe mjetin mbështetës USNS Supply.

FOTO GALERI
1/6
HMS Kent duke marre furnizim në det nga mjeti amerikan USNS Supply

Top Channel