I parë që ndihmon të godasë virusin, ekspertët amerikanë autorizojnë përdorimin e këtij ilaçi

02/05/2020 09:27

Rregullatorët amerikanë do të lejojnë përmes një procedure urgjente autorizimi përdorimin e ilaçit eksperimental, remdesivir, që duket se ndihmon disa nga pacientët me koronavirus të shërohen më shpejt.

Është ilaçi i parë që ka treguar se ndihmon të godasë virusin.

Agjencia amerikane e Ushqimit dhe Barnave, FDA e dha autorizimin të premten, pasi rezultatet paraprake të një studimi të ekspertëve, kërkuar nga qeveria, treguan se remdesiviri e përshpejtoi me 31 për qind rimëkëmbjen për pacientët me COVID-19 të shtruar në spital.

Presidenti Donald Trump e dha lajmin të premten në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me kreun e agjencisë, Stephen Hahn.

Ilaçi mund edhe të pakësojë numrin e vdekjeve, megjithëse nuk është e sigurt nga rezultatet e pjesshme që kanë dalë deri tani.

Kompania farmaceutike Gilead Sciences ka thënë se do të dhurojë rezervat aktuale të ilaçit dhe po zgjeron prodhimin e sasive të tjera.

Sstudimi me 1,063 pacientë është më i gjeri dhe më rigorozi i ilaçit dhe përfshiu një grup pacientësh që morën kujdesin e zakonshëm, për të krahasuar efektin.

Ata që përdorën remdesivir, ishin në gjendje të dilnin nga spitali pas 11 ditësh, krahasuar me mesataren prej 15 ditësh të grupit tjetër.

Eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive, Dr. Anthony Fauci tha se ilaçi do të vendoste një standard të ri mjekimi për të sëmurët rëndë me COVID-19.

Ilaçi nuk është testuar ende tek pacientë me simptoma më të lehta dhe aktualisht jepet me serum në spital.

Agjencia FDA e autorizoi ilaçin në bazë të kompetencave për rastet urgjente, për të përshpejtuar ilaçet, testet dhe produketet eksperimentale në raste krizash shëndetësore./VOA/

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA