Sot është 1 maji, dita e punëtorëve. Në këtë ditë në të gjithë botën kryesisht punëtorët dalin në manifestime për të kërkuar garantimin e të drejtave në punë apo sigurimin e më shumë kushteve.
Ditën e sotme në Top Talk për të folur për 1 majin dhe sindikatat ishte pedagogu Endri Shabani.
Denis Dyrnjaja: Kemi sindikata, por nuk kemi sindikalizëm të paktën kështu duket. Është e gabuar nëse e perifrazoji kështu konceptin e sindikalizmit në Shqipëri.
Endri Shabani: në fakt është e vështirë që të kesh sindikalizëm pa sindikata, por në fakt në Shqipëri ka disa lëvizje të vogla, ndoshta jo aq sa do duhet të ishin që janë aty ku nxirret kromi dhe rafineria e naftës, por është shumë larg asaj që do të quhesh e mirëfilltë një lëvizje sindikale në Shqipëri.
Denis Dyrnjaja: Cilat janë shkaqet që e kemi kaq të dobët sindikalizmin në vendin tonë?
Endri Shabani: Besoj se që nga momenti që u krijuan, ka të paktën tre dimensione si mund ta vlerësosh lëvizjen sindikale në një vend.
E para është pavarësia, si është themeluar sindikata. Në Shqipëri nuk kishte një themelim sindikatash nga poshtë lart, nuk erdhi si nevojë e organizimit të punëtorëve të cilët zgjodhën përfaqësuesit e tyre edhe pastaj filluan që të negocionin me prodhuesit, me pronarët.
Ishte nga lart poshtë, ju dha pasuri disa pjesëtarëve.
Dyrnjaja: Më lejo që të të korrigjoj. Unë e kujtoj që në fillimet e veta ka pasur një lëvizje shumë të fortë sindikaliste që lindi nga minatorët.
Edhe më pas lindi bashkimi i sindikatave të pavarura të Shqipërisë dhe besoj që në ato fillesa drejtuesit që ishin më vitalë më të spikaturit, natyrisht që morën edhe drejtimin për shkak se minatorët u besuan këtyre njerëzve më pas pastaj ndodhi ai evoluimi midis marrëdhënieve politike që solli më pas edhe një lloj degradimi, kështu që në fillesat e veta ka qenë i vërtetë procesi.
Endri Shabani: Pa dashur të hyjë në debate historike normalisht sindikata vjen si përballje midis punëtorëve dhe pronarit të një fabrike apo miniere.
Në atë kohë minierat ishin shtetërore, ato janë privatizuar shumë vonë (përballja ishte me shtetin) për këtë arsye është e vështirë të thuash që këtu kishim një lëvizje ose ndërgjegjësim.
Duke ju dhënë prona sindikatave ju krijuan një inventivë atyre që ishin në krye që të mos kishin anëtarë, sepse në qoftëse ti ke pasuri të cilën e ke të garantuar, atëherë sa më pak anëtarë të kesh me aq më pak njerëz do ta ndash pasurinë.
Në vendet e tjera pasuria kryesore vjen nga kuota e anëtarësisë, pra çdo anëtar sindikate paguan një kuotë anëtarësie. Kështu që një kryetar nëse shkëputet nuk ka më para për të vazhduar më tej.
Top Channel