Koronavirusi ndikon merkaton, klubet italiane në kërkim të të rinjve të talentuar

30/04/2020 17:44

Nëse kampionati italian do të ndërpritej përfundimisht, humbjet për klubet do të ishin përreth 700 milionë euro, shifër kjo që do të ndikonte ndjeshëm në merkaton e ardhshme verore dhe do të bënte të harroheshin emrat e bujshëm.

Duke qenë se një situatë e tillë është më se e mundshme, klubet e mëdha duket se kanë lënë pezull negociatat me emra të kushtueshëm si Federico Chiesa e Sandro Tonali dhe janë përqendruar te të rinj të talentuar, vlera e të cilëve nuk i kalon 30 milionë eurot.

Kështu emri që është shënuar me gërma kapitale në agjendën e drejtuesve të klubeve më të mëdha italiane, është ai i mbrojtësit shqiptar të Veronës, Marash Kumbulla, i cili ka bërë paraqitje të shkëlqyera këtë sezon dhe për më tepër ka vetëm 21 vite mbi supe.

Veronezët janë gati të heqin dorë prej tij për një shifër ndërmjet 25 dhe 30 milionë eurove, ndërsa futbollisti ndiqet nga Napoli, Roma e Inter, me zikaltrit që janë dukshëm favoritë dhe kanë avancuar negociatat me palët.

Emra të tjerë që ndiqen nga klubet më të mëdha italiane janë ato të tre futbollistëve të Fiorentinës, Dragowski, Milenkovic dhe Castrovilli, të cilët gjithashtu kanë spikatur këtë sezon me paraqitjet e tyre dhe kanë çmime të përballueshme lehtësisht.

Një tjetër emër që “intrigon” klubet e Serisë A, qoftë për cilësitë teknike, qoftë për moshën dhe vlerën e kartonit, është ai i Jeremy Boga, sulmues anësor në pronësi të Chelseat, por që ka shpërthyer këtë sezon me Sassuolon.

Në ditët në vijim pritet të vendoset përfundimisht nëse do të mbyllet sezoni i kampionatit italian apo jo, por e sigurt është tashmë që me pasojat që ka lënë ndërprerja, merkatoja e verës do të përqendrohet kryesisht te emrat e rinj të talentuar.

Top Channel