“Filloi me një temperaturë pak më të lartë se 37. Ishte 22 dhjetor. Pastaj temperatura nisi të rritej e më shkoi 39. Mora në telefon urgjencën. Ditën tjetër, mjekët më dhanë antibiotikë”.
Një 41 vjecare nga Milano rrëfen se vetëm tani është kuptuar që temperatura e çuditshme e saj në fundin e vitit të kaluar, ishte në fakt Covid 19. Testi i antitrupave tani vonë e konfirmoi një gjë të tillë. Ajo rrëfen se simptomat kishin ardhur në përkeqësim, me dhimbje të forta në brinjë e shpinë, kollë të dhunshme e shenja pneumonie. Pavarësisht kontrolleve të njëpasnjëshme, mjekët nuk i vunë dot një diagnozë të saktë. Pas një muaji arriti të shërohej e të ngrihej në këmbë. Gruaja ishte rikthyer në punë kur në Lombardi shpërtheu epidemia e koronavirusit.
Sëmundja e saj vazhdonte të konsiderohej një “ pneumoni anormale”. Vetëm tani përpara pak ditësh, bëri një test sierologjik, dhe aty u zbardh misteri: 41 vjecarja kishte zhvilluar antitrupa kundër koronavirusit të ri, që do të thotë se sëmundja e çuditshme e saj, në fakt nuk kishte qene gjë tjetër veçse Covid 19. Që prej atëherë, gruaja nuk ka pasur më asnjë problem dhe aktualisht nuk rezulton e prekur. Kjo do të thotë sipas mediave vendase, se 41 vjecarja me shumë gjasë është infektuar pikërisht në Milano që në fundin e dhjetorit, kur mendohej gjerësisht se sëmundja ishte ende shumë larg dhe konsiderohej e kufizuar në Kinë./Irida Vasia/
Top Channel