Dy vëllezër Besmir dhe Viktor Haxhia u ekzekutuan pasditen e së hënës, pranë tregut të makinave në zonën e ShënVlashit në Durrës. Ata ishin duke udhëtuar me një automjet tip Volkswagen Golf, kur u qëlluan me breshëri automatiku nga autorë ende të paidentifikuar. Vëllezërit Haxhia me origjinë nga Puka dhe me banim në Durrës, ishin përkatësisht në sediljet e pasagjerit dhe shoferit.

Burime për Top Channel nga grupi hetimor bëjnë me dije se se automjeti i viktimave, të cilët kishin aktivitet në zonën e tregut të makinave, është ndjekur nga mjeti i autorëve që më pas kanë qëlluar mbi të duke i lënë të vdekur.

Viktor Haxhia, njëri nga vëllezërit, viktimë e këtij atentati, që nga nëntori 2019 kishte marrë dhe licencën e avokatisë pas përfundimit të studimeve në universitetin e Durrësit. Ndërkaq, së bashku me vëllain e tij, Besmirin 32 vjeç, ata kishin edhe një aktivitet të përbashkët ”BV Auto” për tregtim dhe dhënie me qira automjetesh, shërbim karrotreci, si dhe pikë për transferta parash.

Paraprakisht, pista kryesore e hetimit është ajo e larjes se hesapeve për shkak të një konflikti që lidhet me shlyerjen e një borxhi. Kemrat e sigurisë, që gjenden pak metra larg zonës ku ka ndodhur atentati të cilat po ndihmojnë grupin hetimor për të kuptuar lëvizjen e automjetit të ekzekutorëve.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumtë të policisë, ato Renea dhe Forcat e ndërhyrjes së Shpejtë të cilat po bëjnë krehjen e zonës. Ndërkaq janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm personash, banorë të zonës si dhe pronarët e bizneseve aty pranë, që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Top Channel