Vijon të rritet bilanci i viktimave si pasojë e Covid-19 në Maqedonin e Veriut.
Gjatë 24 orëve të fundit Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar edhe 4 viktima të tjera.
Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i viktimave atje shkon në 65.
Viktimat e fundit janë: një grua 58 vjeçe nga Tetova, dy nga Kumanova të moshës 81 dhe 47 vjeç dhe një 66-vjeçar nga Manastiri.
Sa i përket numrit të të infektuarve, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se janë shënuar edhe 13 raste të reja, ndërsa janë shëruar 53.
Në Maqedoninë e Veriut, me koronavirus janë të regjistruara gjithsej 1,399 raste dhe prej tyre 553 janë shëruar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 289 persona, me të cilët numri i përgjithshëm i testeve të kryera ka arritur në 15,409.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë i kërkoi Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të miratojë vendimin për aplikimin e gjobave për të gjithë personat që nuk mbajnë maska në vende publike dhe të mbyllura.
Vendosja e maskave është bërë e detyrueshme me rekomandim të Shtabit të Krizës.
Në rast të shkeljes së vendimit, gjoba për personat fizikë do të jetë 20 euro, ndërsa për personat juridikë 2,000 euro.
Kërkesa e ministrisë vjen pas pamjeve të shfaqura nga qytete të ndryshme se si qytetarët nuk e respektojnë vendimin për mbajtjen e maskave në vende ku nuk mund të ketë distancë sociale.
Top Channel