Pandemia Covid-19/ Si është situata në Kinë dhe Korenë e Jugut

27/04/2020 11:23

Tri raste të reja janë zbuluar në Kinë me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe dhjetë në Korenë e Jugut

Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës tha në një deklaratë se vetëm tri raste janë regjistruar në vend në 24 orët e kaluara, prej të cilëve dy raste janë të importuara, kurse nuk është konfirmuar asnjë vdekje.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Kinë është rritur në 82.830. Gjithsej 4.633 njerëz kanë humbur jetën në vend për shkak të koronavirusit, ndërsa 77.474 janë shëruar.

Ndërkaq, numri i rasteve me origjinë nga jashtë ka shkuar në 1.636.

10 raste të reja në Korenë e Jugut

Në një deklaratë nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Koresë së Jugut, thuhet se dhjetë raste të reja me COVID-19 janë regjistruar në vend në 24 orët e kaluara. Në Korenë e Jugut, virusi ka vrarë 243 njerëz deri më tani, kurse shifra e përgjithshme e të diagnostikuarve ka shkuar në 10.738.

Në Korenë e Jugut, ku së fundmi është vërejtur frenim i pandemisë, shumica e rasteve në vend janë të regjistruara në qytetin Daegu, dhe më shumë se 90 përqind e të vdekurve janë mbi 60 vjeç.

Vendi ka sinjalizuar rihapje të shkollave, pasi kryeministri Chung Sue Kyun, në një takim në lidhje me koronavirusin, udhëzoi zyrtarët e arsimit të marrin masa “për të ruajtur higjienën në shkolla dhe për të zbatuar distancimin fizik”./AA

Top Channel